Bahri Cani, gazetar në Deutche Welle, ka shkruar për raportimet lidhur me çmimet e larta për pushuesit në plazhet e Shqipërisë.
Ai ka thënë se nga informacionet e tij, për dallim nga viti i kaluar ku në Sarandë kishte paguar 10-15 euro për shezlonge, sivjet çadrat shkojnë deri në 100 euro e më shumë.
“Ky është turp, është dëm e krim jo vetëm ndaj turistëve dhe turizmit, por edhe ndaj vetëvetes. Miq të mi të dashur nga Shqipëria ime, kujdes: Turistët nuk janë budallenj – ju mund t’i mashtroni vetëm një herë me vendosje, me ushqime dhe çmime”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Kujdes, turizmi nuk është garë në 100 metra por maratonë…
Është vërtet pa kurfarë vizioni, e papranueshme, është dëm dhe mëkat, jo vetëm për ata që tani kanë mbetur me gishta në gojë për shkak të çmimeve tepër të larta, por është dëm edhe për Shqipërinë, vendin me bukuri të rralla. E krim për denim është edhe për ata që bëjnë propagandë kundër turizmit në këtë vend. Para dy-tre javësh isha me mikun tim të mirë Ejupin, në një vend tjetër (të mos i bëj reklamë) ku vizituam disa nga zonat më të bukura atje. Në një prej zonave ekskluzive, ku shtëpitë fillojnë nga një milion e përfundojnë në dhjetëra miliona, ku sytë të shohin anije e restorante ndër më luksozet, shkuam edhe deri në plazh. Çadra me dy shtretër – 20 Euro. Largësia nga deti, rreth pesë metra… Nuk dua t’i bëj reklamë këtij vendi, por dua të shpreh keqardhje kur shoh disa plazhe gjysmë të boshatisura në Shqipëri, ku kam kaluar rregullisht pushimet në 5-6 vitet e fundit me familje, ku kam sjellur me vete edhe shumë pushues gjermanë e të tjerë.
Vitin e fundit në Sarandë kam paguar rreth 10 deri 15 euro për shezlonga, siç po ju thonë. Mirë, në çdo pushim më ka ndodhur ndonjë mashtrim i vogël me çmime. Por e kam konsideruar si sëmundje fëmijërore, të njerëzve pa përvoja me turizëm… Ndërsa tani dëgjoj që në disa vende çadrat shkojnë deri në 100 Euro e më shumë. Më vjen keq por këto çmime nuk i paguaj. Jo që nuk kam, por nuk dua. Ky është turp, është dëm e krim jo vetëm ndaj turistëve dhe turizmit, por edhe ndaj vetëvetes. Miq të mi të dashur nga Shqipëria ime, kujdes: Turistët nuk janë budallenj – ju mund t’i mashtroni vetëm një herë me vendosje, me ushqime dhe çmime. Çdo turist, i huaj apo vendor, kërkon mikpritje, kërkon trajtim të mirë. Nuk është ideja që turisti të vi njëherë dhe ta vjelim, por që Shqipëria përgjithmonë të jetë destinacioni i tij/saj. Shqipëria e meriton këtë.
Më vjen mirë që Shqipëria po investon në infrastrukturë, por vetëm kaq nuk mjafton. E shoh që sot edhe kryeministri Rama në llogarinë e tij në rrjete paska bërë thirrje që pushuesit të shkojnë në Vlorën e bukur “ku ofrohet hapësirë e lirë, por edhe çadra falas për të gjithë pushuesit”. Qeveria për mendimin tim do të duhej të bëjë zbritje të çmimeve për rrugët. Përndryshe, turistët sot i kanë rrugët e hapura gjithandej… E nëse njëherë shkojnë diku e gjejnë më mirë, ata nuk kthehen.
Turizmi është maratonë dhe jo garë në 100 metra!
Të tjera
Hajdari me veteranët: Veteranët janë damari i lirisë, ata meritojnë dinjitet që s’ua cënon dinjitetin
51-shi i PDK-së: Bedri Hamza është kryeministri i ardhshëm, ne jemi përfaqësuesit e projektit që e nderon vendin
Petrit Hajdari në Komoran: Mesazhi ynë Kosova munet ma mirë po grumbullon qytetarë gjithandej.