Haxhiu: Janë ndërmarrë disa veprime me ndikim kundër dhunës në familje

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bashkë me shefen e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila bashkëbiseduan me nxënësit shkollës “Ahmet Gashi” për dhunën me bazë gjinore, raporton Ekonomia Online.

Nën organizimin e Ministrisë së Drejtësisë ka nisur fushata globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në këtë bashkëbisedim më nxënësit bëri të ditur se që nga sot Ministria e Arsimit ka marr vendin që të gjitha shkollat në orën e parë të flasin për dhunën në familje.

“Më 25 nëntor pra në ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave deri më 10 dhjetor në ditën e të drejtave të njeriut organizohen me qindra aktivitete qoftë nga organizatat e shoqërisë civile, qoftë nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Pra gjatë këtyre 16 ditëve ka aktivitete kudo në komunat e Kosovës, por duke pasur parasysh ndikimin që ka edukimi në adresimin e fenomeneve me të cilat ne përballemi sigurisht që bashkë me ministrin Nagavci vitin e kaluar ne kemi vendosur që të shkojmë bashkërisht në shkollat qoftë fillore qoftë ato të mesmet apo edhe universitetet. Ministria e Drejtësisë e ka përgjegjësinë që të adresojë politikat për adresimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore deri tani kemi ndërmarrë shumë veprime të cilat kanë për qëllim që të rehabilitojnë personat të cilët bëjnë veprime të tilla. Sot edhe Ministria e Arsimit ka nxjerr vendim që të gjitha shkollat në orën e parë të flasin për dhunën në familje, atëherë ne kemi për qëllim që sot të ia dedikojmë kësaj teme në këtë takim”, tha Haxhiu.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila tha se mekanizmat për të parandaluar dhunën janë të shumtë. Ajo nxënësve iu tha që duhet të jenë të barabartë si vajzat ashtu edhe djemtë.

“Dhuna mund të jetë e fshehur prapa, të mos jetë pjesë e shpërfaqjes më rrallë në publik por të mbetet e kultivuar brenda në familje, dhe këtu është ajo pika kur ne të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm. As nëna, as motra, as shoqja, as gjyshja nuk e meritojnë dhunën, nuk duhet të jenë subjekt i dhunës pse janë gra, nuk duhet të jenë subjekt i nënçmimit, i mohimit të një të drejte se kanë forcë më të vogël fizike. Nuk jeni më të fortë ju djemtë pse qëndroni bashkë, pse luani futboll, nuk mundeni me ditë më shumë as në matematikë e shkencë, as me qenë pilot apo diçka tjetër me aspirua profesionet që janë vetëm për djemtë, por jeni të barabartë dhe këtu është esenca dhe fondacioni i secilës paqe dhe secilit zhvillim në shoqëri”, tha Kusari-Lila.