Pronari i “Albanian Post”, Baton Haxhiu ka njoftuar se është intervistuar sot nga dy hetues në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë lidhur me një deklaratë të bërë në T7 para rreth një jave.
Haxhiu shkroi se prokurori i shtetit, duke e identifikuar atë me emër e mbiemër, kishte autorizuar intervistimin e tij, “duke e kthyer një analizë politike në objekt procedurial”, shkruan Reporteri.
Haxhiu tha se sot ishte në hetuesi, ku u mor në pyetje në cilësinë e dëshmitarit.
“Dhe ajo që pashë nuk ishte vetëm një procedurë, por një keqkuptim që ka marrë formë institucionale”, shkruan ai.
Sipas tij dy hetuesit që e intervistuan “ishin korrektë” dhe “profesionalë.
“Dhe në një moment, në një bisedë që kaloi përtej formalitetit, më thanë se kjo lëndë ishte inicuar nga prokurori. Dhe se për ta vetë kjo ishte obligim profesional. Aty ndjeva keqardhje. Sepse kjo nuk ishte më çështje e një ftese. Ishte çështje e mënyrës se si është lexuar fjala ime. Dhe kur fjala lexohet gabim nga një qytetar, është keqkuptim. Kur lexohet gabim nga një analist, është debat. Por kur lexohet gabim nga një prokuror dhe kthehet në procedurë, atëherë kemi problem, sepse një prokuror nuk ka luksin e keqleximit”, shkroi ai.
Haxhiu në deklaratën e tij në televizion, më 29 prill 2026, kishte thënë se qytetarët duhet “ta heqin qafe” kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në atë mënyrë që të vendosin ose t’ia japin 80 mandate në Kuvend, ose ta largojnë nga qeverisja.
“Ne kemi humbur shumëçka në këtë vend dhe merremi me procedura. Dhe kjo është për të ardhur keq. Dhe ajo që duhet të them, qytetarët duhet të përgatiten për dy gjëra: ose le t’ia japin njeriut 80 vota, o le të tregojnë se ky nuk është i gatshëm të qeverisë, se kjo nuk ka kuptim më”, kishte deklaruar ai.
“Qytetarët e Kosovës po luajnë me veten. Hiqeni qafe në çfarëdo mënyre. Ose jepjani 80 vota, ose largojeni që të qeverisin të tjerët, se jemi lodhë”, kishte thënë Haxhiu.



Të tjera
Fadil Fazliut i lejohet që të ketë kontakt me djalin e tij
Shkarkohet drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës
Shtatë mënyra se si ta menaxhoni astmën