Nga tani e tutje nuk do të mjaftojë më të qëndrojmë përpara një kondicioneri apo ventilatori për t’u mbrojtur nga vapa ekstreme.
Ajo që po përjetojmë sot – vështirësia për të bërë një jetë normale nën një përzierje të rëndë lagështie dhe temperaturash që arrijnë 40°C – mund të mos jetë një fenomen i përkohshëm, shkruan salute.eu.
Sipas ekspertëve, e ardhmja do të ngjasojë gjithnjë e më shumë me atë që po jetojmë sot: temperatura gjithnjë e më të larta, vapë përvëluese dhe diell përvëlues.
Për këtë arsye, përveç të moshuarve, fëmijëve dhe personave të brishtë, për të cilët prioriteti mbetet shmangia me çdo kusht e temperaturave ekstreme pasi ato mund të rrezikojnë jetën, pjesa tjetër e popullsisë do të ketë vetëm një mundësi: të mësohet me klimën e re, e cila nga e papërballueshme duhet të bëhet e pranueshme.
Ky proces quhet aklimatizim, dhe shkencëtarët këshillojnë që të fillojë të zbatohet sa më shpejt. Është një mënyrë për ta mësuar trupin të përballojë vapën dhe i përgjigjet një pyetjeje themelore: A mund të mbijetojmë në vapë ekstreme? Dhe si?
Të mësojmë të menaxhojmë stresin nga nxehtësia
Profesori Francesco Dentali, drejtor i Departamentit të Mjekësisë në ASST Sette Laghi të Varese dhe president i Fondacionit FADOI, shpjegon:
“Nxehtësia është një formë stresi dhe trupi ynë mëson t’i përshtatet stresit kur ekspozohet ndaj tij në mënyrë të përsëritur.”
Aklimatizimi përdoret prej kohësh për atletët, punëtorët që punojnë jashtë dhe ushtarakët. Megjithatë, temperaturat shumë të larta mund të shkaktojnë goditje nga nxehtësia, madje edhe vdekje, edhe te njerëzit që nuk kryejnë aktivitete të rënda fizike.
Rreziku i goditjes nga nxehtësia
Ekziston një kufi që organizmi e toleron me shumë vështirësi: nxehtësia ekstreme. Ajo mund të bëjë që zemra të rrahë shumë shpejt, tensioni arterial të bjerë dhe djersitja e tepërt të shkaktojë dehidrim dhe marramendje.
“Efektet e vapës mund të shfaqen në temperatura të ndryshme te persona të ndryshëm, në varësi të gjendjes shëndetësore dhe nivelit të përshtatjes me të nxehtin,” shpjegon Dentali. “Prandaj, nocioni i vapës ekstreme është relativ. Për më tepër, disa ilaçe dhe sëmundje, si problemet e veshkave ose insuficienca kardiake, i bëjnë njerëzit më të ndjeshëm ndaj stresit termik.”
Rreziku më i madh është goditja nga nxehtësia (hipertermia), e cila mund të prekë njerëz të çdo moshe, edhe pse më të rrezikuarit janë personat mbi 65 vjeç dhe fëmijët e vegjël.
Nëse nuk trajtohet menjëherë, ajo mund të shkaktojë dëmtime të trurit ose edhe vdekje.
Goditja nga nxehtësia ndodh kur mekanizmat natyrorë të trupit për të shpërndarë nxehtësinë nuk funksionojnë më siç duhet. Si pasojë, temperatura e brendshme e trupit rritet progresivisht deri në nivele të papajtueshme me funksionimin normal të proceseve jetësore.
Shenja kryesore është temperatura trupore 40°C ose më e lartë. Simptoma të tjera mund të jenë:
të përziera dhe të vjella;
lëkurë e skuqur, ndonjëherë pa djersitje;
frymëmarrje dhe rrahje të shpejta të zemrës;
dhimbje koke;
ngërçe ose dobësi muskulore;
konfuzion;
në rastet më të rënda, humbje e vetëdijes.
Si ta mësojmë trupin me vapën
Përveç të moshuarve, fëmijëve dhe personave me probleme shëndetësore, njerëzit e shëndetshëm mund ta përballojnë më mirë vapën duke ndjekur një proces gradual përshtatjeje.
Aklimatizimi kërkon zakonisht 7 deri në 14 ditë ekspozim gradual dhe të kontrolluar ndaj temperaturave të larta.
“Kur vapa e madhe vjen papritur, sistemi kardiovaskular dhe ai që rregullon temperaturën e trupit vihen nën presion,” shpjegon Dentali.
“Zemra duhet të punojë më shumë për të dërguar gjakun drejt lëkurës, ku nxehtësia shpërndahet, ndërsa djersitja shtohet për të ftohur trupin. Në ditët e para ky mekanizëm nuk është ende efikas: djersitet më shumë, humben lëngje dhe kripëra minerale, ndihemi më të lodhur dhe mund të shfaqen rënie tensioni, marramendje ose dobësi.”
“Me kalimin e ditëve, nëse ekspozimi ndaj vapës është gradual, organizmi përshtatet. Djersitja bëhet më efikase, trupi shpërndan më mirë nxehtësinë, zemra punon me më pak sforco dhe humbja e kripërave minerale zvogëlohet.”
Ky proces zakonisht zgjat një deri në dy javë dhe është më efektiv te të rinjtë, sidomos te atletët.
Nga ana tjetër, ai mund të jetë më i ngadaltë ose të mos ndodhë fare te të moshuarit, personat e brishtë dhe ata që vuajnë nga sëmundje kronike si:
insuficienca kardiake;
diabeti;
insuficienca renale;
sëmundja pulmonare obstruktive kronike (BPOK);
hipertensioni.
Edhe disa ilaçe mund ta pengojnë plotësisht këtë mekanizëm përshtatjeje.
Si funksionon aklimatizimi
Studimet fiziologjike tregojnë se 60–90 minuta aktivitet fizik të moderuar çdo ditë në ambiente të ngrohta ndihmojnë trupin të:
rrisë vëllimin e plazmës së gjakut;
ulë ritmin e zemrës në pushim.
Sipas literaturës shkencore, ekspozimi gradual ndaj nxehtësisë sjell disa ndryshime të rëndësishme: Djersitje më efikase: trupi fillon të djersijë në temperatura më të ulëta dhe djersa shpërndahet në një sipërfaqe më të madhe të lëkurës.
- Ruajtje më e mirë e elektroliteve: me kalimin e kohës humben më pak natrium dhe kripëra minerale përmes djersës.
- Përmirësim i sistemit kardiovaskular: rritet vëllimi i gjakut që qarkullon, duke e bërë më të lehtë punën e zemrës dhe duke ulur stresin mbi të.
- Si të arrihet aklimatizimi në mënyrë të sigurt
- Përshtatja me vapën është e mundur, por duhet bërë me kujdes për të shmangur rreziqe si kolapsi i enëve të gjakut dhe hipertermia.Ekspertët rekomandojnë:
- Ekspozim gradual ndaj vapës: filloni me aktivitete fizike të lehta ose qëndrime të shkurtra në ambiente të nxehta dhe rriteni kohëzgjatjen me 10–20% çdo ditë.
- Hidratim të vazhdueshëm: konsumoni ujë dhe zëvendësoni kripërat minerale para, gjatë dhe pas aktivitetit, pa pritur të ndieni etje.
- Zgjidhni oraret e duhura: aktivitetet fizike ose puna jashtë duhen kryer në orët më të freskëta të ditës, herët në mëngjes ose në mbrëmje, kur dielli nuk është më i fortë.



Të tjera
Presidenti turk Erdogan pret shefen e politikës së jashtme të BE-së përpara Samitit të NATO-s në Ankara
PSG e mendon Folarin Balogun si zëvendësues të Gonçalo Ramos
Protesta në Tiranë/ Analiza e medias franceze: Diaspora po mobilizohet masivisht dhe i ka lëshuar ultimatum Ramës