Konjufca pritet në Bratislavë nga homologu sllovak Blanar

Konjufca pritet në Bratislavë nga homologu sllovak Blanar

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Glauk Konjufca, ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës për avancimin e procesit të integrimit evropian dhe gatishmërinë për të kaluar në fazën tjetër të këtij procesi, gjatë një takimi të nivelit të lartë në Kalanë e Bratislavës, transmeton Anadolu.

Konjufca, i cili u prit nga ministri sllovak i Punëve të Jashtme, Juraj Blanar, në kuadër të takimit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, të organizuar nga Ministria e Jashtme e Sllovakisë, diskutoi bashkë me përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian (BE) mbi rrugën drejt anëtarësimit dhe sfidat aktuale në rajon.

Në takim mori pjesë edhe përfaqësuesja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos.

“Integrimi gradual duhet të na afrojë me anëtarësimin, hap pas hapi. Siguria po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e këtij rrugëtimi, një fushë ku vendet e ardhshme anëtare mund të kontribuojnë që tani”, tha Konjufca.

Në këtë kontekst, u vlerësua se Kosova ka arritur përparim konkret në 35 fusha kyçe, ka harmonizuar plotësisht politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së dhe shënon nivelin më të lartë të mbështetjes publike për anëtarësim në rajon.

Konjufca theksoi se Kosova është e gatshme për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në.

Sllovakia është një nga pesë shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa mosnjohja e pavarësisë nga këto pesë vende është konsideruar shpeshherë si pengesa kryesore e integrimit evropian të Kosovës