KQZ: Përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme po zhvillohen sipas planit

KQZ: Përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme po zhvillohen sipas planit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës po zhvillohen sipas planifikimeve, ndërsa procesi logjistik dhe administrativ është në fazën përfundimtare.

Në mbledhjen e radhës së KQZ-së, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, prezantoi raportin mbi ecurinë e përgatitjeve për ditën e zgjedhjeve.

“Deri më tani janë funksionalizuar 30 Qendra Komunale të Numërimit, ndërsa tetë të tjera pritet të përfundojnë gjatë ditës së sotme. Po ashtu, ka vazhduar edhe trajnimi i ekipeve të numërimit”, tha Buzhala.

Sipas tij, janë transportuar pajisjet e teknologjisë informative, përfshirë kamerat për vendvotime, kompjuterët, monitorët dhe pajisje të tjera mbështetëse. Gjithashtu, janë pranuar dhe kontrolluar të gjitha format dhe formularët zgjedhorë, ndërsa shpërndarja e tyre nëpër komuna pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme.

Buzhala njoftoi se materialet e ndjeshme zgjedhore, përfshirë fletëvotimet, listat përfundimtare të votuesve dhe vulat, do të shpërndahen në komunat e Kosovës më 6 qershor nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Duke folur për votimin jashtë vendit, ai tha se materialet zgjedhore për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike janë pranuar dhe ruajtur sipas procedurave.

“Sa i përket votimit jashtë Kosovës, materialet zgjedhore për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike janë pranuar në gjendje të rregullt dhe janë ruajtur sipas procedurave të parapara, ndërsa janë zhvilluar edhe trajnimet për stafin që do të angazhohet në këto qendra votimi. Deri më 4 qershor janë tërhequr gjithsej 39,405 zarfe me fletëvotime nga kutitë postare të KQZ-së në Gjermani dhe Zvicër”, tha ai.

Raporti po ashtu thekson se kanë përfunduar trajnimet për këshillat e vendvotimeve dhe për stafin që do të angazhohet në publikimin e rezultateve preliminare.