Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur mirënjohje për njerëzit që sipas tij, çdo ditë e mbajnë shtetin e Kosovës në funksion.
Në ceremoninë e shënimit 4 ditë më herët të 23 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Shërbimit Publik, Kurti tha se qytetari e takon shtetin përmes njeriut që i shërben, pra nëpërmjet zyrtari që e dëgjon, mësuesit që e edukon, mjekut dhe infermierit që e shërojnë, policit që e ruan rendin e inspektorit që mbron sigurinë dhe cilësinë, e po ashtu edhe nëpërmjet nëpunësit që i jep një përgjigje të drejtë, të qartë dhe me kohë.
“Administrata është fytyra e Republikës karshi qytetarit dhe përjetimi i qytetarit për shtetin. Nga mënyra si e dëgjojmë qytetarin, si i përgjigjemi dhe si e trajtojmë hallin e tij, ndërtohet besimi në institucionet tona. Qeverisja e mirë, transparente dhe në përkushtim të qytetarëve nuk është një parullë politike. Është parimi ynë udhëheqës. Në një Republikë demokratike, pushteti nuk është privilegj por përgjegjësi e lartë. Udhëheqja që shërben, nuk pyet sa pushtet kam, por çfarë përgjegjësie kam. Nuk pyet sa kontrolloj por sa lehtësoj. Ky është rrugëtimi i vërtetë i shërbimit publik. Reforma e administratës publike është thellësi demokratike. Ajo jeton çdo ditë në sportel, në zyrë, në shkollë, në komunë, qendër shëndetësore dhe platformë digjitale. Orientimi ynë është i qartë. Administrata publike nuk duhet të jetë pengesë për qytetarin, por ura e cila e lidh atë me të drejtat dhe mundësitë që i takojnë”, tha Kurti, raporton KosovaPress.
Tutje, Kurti u shpreh se transformimi i shtetit nuk matet vetëm me ligje e reforma, por edhe me përvojën që qytetari e ka kur kërkon një shërbim.
Kurse, ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, tha se kjo ditë është kujtesë se administrata publike është një nga shtyllat themelore të funksionimit të shtetit.
“Kjo ditë na kujton se administrata publike është një nga shtyllat themelore të funksionimit të shtetit. Ajo është pika ku qytetari takohet me institucionet, ku politikat publike shndërrohen në shërbime dhe besimi në shtet ndërtohet përmes punës së përditshme të mijëra nëpunësve publikë. Shteti nuk funksionon vetëm përmes politikave dhe vendimeve që miratohen, por edhe përmes njerëzve që i zbatojnë ato çdo ditë. Ky është edhe mesazhi që qëndron si themel të Ditës së Shërbimit Publik. Prandaj kjo ditë është një ditë mirënjohje për nëpunësit publikë të Kosovës që përmes punës së tyre të përditshme e shndërrojnë veprimin institucional në shërbim konkret për qytetarit. Nga këndvështrimi i ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike pyetja kryesore është e thjeshtë; si ta bëjmë administratën publike më efikase për qytetarët dhe më tërheqëse e motivuese për ata që punojnë brenda saj. E, përgjigja qëndron në bashkimin e dy proceseve që shpesh janë parë të ndara. Pra, reformën në administratën publike dhe transformimin digjital. Digjitalizimi pa reformë administrative vetëm e zhvendos burokracinë nga letra në ekran, kurse reforma administrative pa digjitalizim mbetet e ngadaltë, e fragmentuar dhe e vështirë për tu matur”, tha Jagxhiu, raporton KosovaPress.
Më tej, ai u shpreh se qëllimi i tyre është që të ndërtojnë një administratë profesionale me njerëz, të thjeshtë në procedura, të sigurt në sisteme dhe të matshme në rezultat.



Të tjera
Juventusi kontakton agjentin e Dybalas, por lojtari ka tjetër prioritet
Mirlind Daku zbulon për herë të parë portretin e vajzës së tij
Botërori 2026 me më së shumti kartonë të kuq që nga Brazili 2014