Kurti: Marrëveshja Bazike ekziston por Serbia s’po e respekton atë, ka shkelur 8 nga 11 nenet e saj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një konference të mbajtur për shtyp sot me ministrin Hekuran Murati, ka folur edhe për zbatimin e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kreu i ekzekutivit ka bërë të ditur se ka marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, duke u nisur nga dialogu në Bruksel dhe takimi i Ohrit, duke sjellur Marrëveshjen Bazike.

Megjithatë sipas tij, Serbia s’po e zbaton këtë, ku sipas tij ajo ka shkelur 8 nga 11 nenet e kësaj marrëveshje.

“Sa i përket marrëveshjeve përfundimtare në Bruksel, ne kemi një marrëveshje. Nuk bën të harrojmë marrëveshjen që kemi. Dialogu në Bruksel edhe me takimin e Ohrit, e ka sjellë Marrëveshjen Bazike. Marrëveshja Bazike e ka edhe aneksin e zbatimit, ajo çfarë duhet është të respektohet ajo, mirëpo 8 nga 11 nenet i ka shkelur Serbia. Nuk mund të harrohet një marrëveshje e të shkojmë te një marrëveshje tjetër pa e trajtuar kush e shkeli atë marrëveshje. Interesi i Beogradit është të flitet për dialog pa u folë për marrëveshje. Interesi i Beogradit është të thuhet që duhet ta kemi një marrëveshje në të ardhmen, në mënyrë që ajo të mos harrohet nga e kaluara. Para 1 viti e gjysmë kemi bërë një marrëveshje, ajo çfarë insistoj unë është të nënshkruhet ajo. Beogradi nuk mund ta mohojë që kemi bërë marrëveshje. Le ta nënshkruajmë atë si dëshmi e vullnetit e qëllimit të mirë, mirëbesimit ndërmjet palëve dhe garancisë legale për zbatimin”, ka deklaruar Kurti.