Kuvendi do të shqyrtojë e më pas do të miratojë projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”. Ky projektligj kërkon shumicë absolute votash për miratim.
Një ditë më parë qeveria shqiptare miratoi vendimin për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën.
“Në mbështetje të urdhrit nr. 4, datë 21.1.2026 të Kryetarit të Kuvendit, z. Niko Peleshi, rendi i ditës është si më poshtë:
1. Njoftime. (Neni 44, pika 3, të Rregullores së Kuvendit)
2. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes””, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Pak ditë më parë, Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se kishte marrë një ftesë personale nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej tij. Ky bord do të ketë si mision administrimin e Gazës dhe nxitjen e paqes në rajon.
Rama e cilësoi ftesën si një moment krenarie të veçantë për Shqipërinë, duke theksuar se vendi është ftuar si anëtar themelues i këtij bordi, një arritje që, sipas tij, do të kishte qenë e paimagjinueshme vetëm disa vite më parë.
Më pas përmes një letre drejtuar Presidentit Trump, Kryeministri Rama pranoi zyrtarisht ftesën për të marrë pjesë në Bordin e Paqes. Në letrën e tij, ai shprehu vlerësimin e thellë për angazhimin dhe udhëheqjen vizionare të Trump në themelimin e kësaj nisme dhe e falënderoi për ftesën e drejtpërdrejtë drejtuar Shqipërisë si përkrahëse dhe anëtare themeluese.
Kryeministri theksoi se Bordi i Paqes nuk është thjesht një forum deklaratash, por një instrument i përqendruar dhe i qëllimplotë për ushtrimin e lidershipit dhe përgjegjësisë globale në ndërtimin e paqes.



Të tjera
Këto janë pesë ushqimet që parandalojnë migrenën
Mbyllen Ligat Universitare 2026, ndahen çmime për sportistët më të dalluar
Përleshje masive në Lipjan për shkak të një prone, 11 të lënduar dhe 10 persona në mbajtje