Me një shqipe të rrjedhshme, Bebe Rexha iu drejtohet shqiptarëve të Kosovës: Jam shumë e lumtur që po vij në Prishtinë

Ylli botëror i muzikës me origjinë shqiptare, Bebe Rexha, do të jetë në Kosovë për herë të parë, për të performuar në festivalin Sunny Hill. Ky lajm ka ngazëllyer fansat e saj në mbarë vendin.

Rexha, 34-vjeçare, është shprehur tejet e emocionuar për këtë rast të veçantë. Në një video të publikuar në InstaStory, interpretuesja e hitit “I’m A Mess” iu drejtua fansave të saj në Kosovë me një mesazh në shqip.

“Përshëndetje, jam shumë e lumtur që do të vijë në Prishtinë, pasi është hera e parë që e vizitoj Kosovën. Mezi po pres të jem në mesin tuaj, më 25 korrik në Sunny Hill Festival”, tha ajo në video, duke folur një shqipe të rrjedhshme dhe të ngrohtë në video.

Sunny Hill Festival, që ka fituar famë ndërkombëtare për sjelljen e artistëve të njohur në Prishtinë, do të mirëpresë këtë vit një nga emrat më të mëdhenj të skenës muzikore botërore.

Bebe Rexha, me zërin e saj të veçantë dhe energjinë e saj të pakrahasueshme, pritet të ndezë skenën dhe të krijojë një atmosferë të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit.

Fansat e muzikës dhe adhuruesit e Bebe Rexhës janë të ftuar të marrin pjesë në këtë ngjarje të jashtëzakonshme, që premton të jetë një nga momentet kulmore të verës në Kosovë.