Në Shqipëri kërkohet sistem zgjedhor si të Kosovës

Në Shqipëri kërkohet sistem zgjedhor si të Kosovës

Adriatik Lapaj, kryetar i “Shqipëria bëhet”, zbuloi se ka propozuar që edhe Shqipëria të ketë modelin e Kosovës sa i përket sistemit zgjedhor.

“Propozimi që ne kemi bërë është modeli i Kosovës praktikisht, thjesht nuk ka adresuar pjesën e balotazhit. Ne kemi bërë një sërë konsultimesh me ekspertë dhe ka pasur disa arsye që nuk e dakordësonim, por gjithsesi ne të hapur jemi për atë. Çfarë kemi propozuar ne me projektligjin që i kemi çuar tryezës dhe që në parim duket se Partia Demokratike, nga sa është deklaruar publikisht, e ka pranuar e që tani pritet që të konkludohet me një dakordësi që të dorëzohet dhe në Komisionin e Reformës Zgjedhore zyrtarisht. Një, kemi propozuar “Shqipëria një zonë zgjedhore”. Nga Kukësi në Sarandë, një zonë zgjedhore. E gjithë vota mblidhet bashkë. Kjo do të çojë te barazimi i votës. E dyta, deputeti miraton ligje me fuqi të përgjithshme. Deputeti i Kukësit miraton ligje që ka fuqi dhe në Sarandë. Kjo do heqë dhe sikletin për partitë e reja, të mos i thonë kur shkon atje në Kukës “je djalë shumë i mirë, na pëlqejnë idetë, por ta çoj votën dëm unë se ti nuk e nxjerr në Kukës se të duhen 14.600 vota”, tha Lapaj në studion e “Terminal” nga Aurora Sulçe, në A2CNN.

“Më tej, listat e hapura. Ne na duhet që të prodhojmë një Parlament që intelektuali të qaset te partitë politike dhe ta dijë që për shkak të performancës ose respektit që njerëzit kanë për atë, çka ai ka bërë në jetë, shkon dhe performon aty. Dhe shpërblehet politikisht me përfaqësim. E treta. Ne kemi kërkuar që Parlamenti të jetë me 140 deputetë. Propaganda e Edi Ramës thotë që ta ulim numrin, ta bëjmë 100. Kjo çon thjesht në kontroll shumë të madh të pushtetit dhe centralizim të atij që është në pushtet. Këta thonë që ka rënë numri i popullsisë. Nuk është e vërtetë. Me miratimin e votës së diasporës është njësoj. Janë 3.7 milionë votues. Ka dhe një rrezik shumë të madh. Duke ulur numrin shumë, rrezikon që ta bësh shumë të kapshëm Parlamentin nga grupet e interesit, sepse sa më pak deputetë aq më të arritshëm janë”, shtoi Lapaj.