Obama u kërkon amerikanëve ta votojnë Harris në një garë ‘të ngushtë’ presidenciale

Ish-presidenti Barack Obama u ka bërë thirrje amerikanëve që të votojnë për Kamala Harris, duke paralajmëruar për një garë “të ngushtë” në Shtëpinë e Bardhë mes saj dhe Donald Trump.

Bëhet e ditur se në tubimin në Pittsburgh, Obama i kërkoi audiencës që të votojnë për zëvendëspresidenten aktuale demokrate në zgjedhjet e 5 nëntorit në SHBA.

Obama sulmoi gjithashtu rivalin e saj republikan Trump për çështje të ndryshme – duke përfshirë ekonominë dhe abortin.

Ndërkohë, Trump po bënte fushatë në Detroit, ku akuzoi administratën Biden-Harris “për shkatërrimin e vendit”, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA pritet të përcaktohen nga një pjesë e vogël e shteteve – përfshirë Pensilvaninë – ku të dy kandidatët kanë shanse për të fituar.

Duke folur në Universitetin e Pitsburgut, Obama tha: “Këto zgjedhje do të jenë të ngushta sepse ka shumë amerikanë që ende po luftojnë atje”.

“Nuk ka të bëjë vetëm me politikat që janë në fletëvotim. Ka të bëjë me vlerat”, shtoi ai.

Ndër tjera, Obama iu referua Trumpit si një politikan egoist që kujdeset vetëm për “egon, paratë dhe statusin e tij”.

“Ai nuk po mendon për ju”, tha ai, duke akuzuar Trumpin.

Ndryshe, presidenti i 44-të i SHBA-së dhe gruaja e tij Michelle kanë shprehur publikisht mbështetjen për Harrisin, menjëherë pasi Biden njoftoi vendimin e tij për t’u tërhequr nga gara për Shtëpinë e Bardhë.