Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, akuzoi Komunën e Pejës për moshartimin e Planit rregullues për Rugovën, duke thënë se kjo ka lënë qytetarët vite të tëra pa mundësi për pajisje me leje ndërtimi.
Pacolli në një intervistë për KosovaPress tha se Qeveria e Kosovës në vitin 2022 ka miratuar për herë të parë Planin hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, duke i hapur rrugë Komunës që të hartojë Planin rregullues.
Sipas Pacollit, përgjegjësia kryesore për mungesën e Planit rregullues bie mbi Komunën e Pejës.
Pacolli: Komuna e Pejës fare nuk është mërzitur për interesin e qytetarëve të trevës së Rugovës
Ajo paralajmëroi se nëse komuna nuk ndërmerr veprime, ministria mund ta marrë vetë përsipër hartimin e Planit rregullues.
“Nëse komuna nuk e bën planin rregullues, unë kam me marrë përsipër si ministri. Tashmë jam duke punuar, duke parë bazën ligjore që ne ta marrim përsipër”, tha ministrja në detyrë.
Pacolli njoftoi po ashtu se do të nisë rishikimi i Ligjit për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, me fokus të veçantë në trevën e Rugovës.
Pacolli: Do të ndajmë linjë të re buxhetore për t’i ndihmuar trevës së Rugovës
“Bashkë me qytetarët do të ulemi edhe ta rishikojmë ligjin. Kërkesa e tyre është për ta rishikuar ligjin dhe unë do ta rishikoj ligjin… Në Kornizën afatmesme buxhetore për vitin 2027, unë e kam shtyrë një linjë të veçantë buxhetore për të ndihmuar qytetarët, sidomos në trevën e Rugovës, që stanet dhe shtëpitë që janë me vite aty, të shndërrohen në shtëpi ekologjike, në mënyrë që ata të zhvillojnë atë zonë dhe të përfitojnë prej saj”, përfundoi Pacolli.



Të tjera
Incident në Eurovision, delegacionit serb i pengon flamuri i Kosovës
Qumësht me hudhra kundër astmës
Pacolli fajëson Muhaxherin për mungesën e planit rregullues në Rugovë, paralajmëron ndërhyrje të ministrisë