Një video ku aktivistët e flotiljes së Gazës që u arrestuan në det dhe u dërguan në portin e Ashdodit, tentohet të poshtërohen, fizikisht dhe me fjalë, u publikua nga Ministri i Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben-Gvir.
Dhjetëra aktivistë ndërkombëtarë shihen të gjunjëzuar në tokë, me duart e lidhura. Videoja fillon me njërën prej aktivisteve që bërtet “Liri për Palestinën”, përpara se oficerët e policisë t’i tërheqin në tokë për t’i larguar nga ministri gjatë vizitës së tij në objekt.
Me dhjetëra aktivistë të lidhur dhe të gjunjëzuar, Ben-Gvir shihet duke ngritur një flamur të madh izraelit dhe duke bërtitur në hebraisht: “Mirë se vini në Izrael, ne jemi pronarët këtu.” Ministri gjithashtu i drejtohet Benjamin Netanyahut, duke thënë: “I them Kryeministrit – na i jepni për një kohë të gjatë, le t’i fusim në burgje terroristësh.”
Në një pamje tjetër, aktivistët shihen në kuvertën e një anijeje, ndërsa luhet himni kombëtar izraelit.
Aktivistët po mbahen në portin e Ashdodit, pasi Ministria e Jashtme njoftoi se misioni i flotiljes së fundit që synonte thyerjen e bllokadës detare të Gazës “ka marrë fund”, me pjesëmarrësit që u transferuan në Izrael.
Midis më shumë se 400 aktivistëve nga 45 vende në anije ishte edhe motra e presidentit irlandez, Catherine Connolly.
Aty gjithashtu ndodhet dhe aktivisti vlonjat Baki Goxhaj.
Izraeli e quajti misionin e flotiljes një “akt propagande për Hamasin”.
Por jo të gjithë në qeverinë izraelite kanë qenë dakort me këto pamje.
Ministri i Jashtëm Gideon Saar sulmoi Ben-Gvir për imazhet që transmetoi: “Ju me vetëdije i shkaktuat dëm vendit me këtë sjellje të turpshme, dhe jo për herë të parë – ju nuk jeni fytyra e Izraelit.” Saar iu referua gjithashtu implikimeve ndërkombëtare të publikimit: “Ju keni shkatërruar përpjekjet e mëdha, profesionale dhe të suksesshme të kaq shumë njerëzve – nga ushtarët e IDF-së deri te punonjësit e Ministrisë së Jashtme dhe shumë të tjerë.
Jo, ju nuk jeni fytyra e Izraelit”.
Qeveria italiane thërret ambasadorin izraelit për shpjegime
Qeveria italiane e quan të papranueshëm trajtimin e aktivistëve të flotiljes së Gazës, duke shtuar se do të thërrasë ambasadorin izraelit për shpjegime.
Në një deklaratë me fjalë të forta, kryeministrja Giorgia Meloni dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani thanë se Italia “kërkon një kërkim falje për trajtimin” e aktivistëve dhe “mungesën absolute të respektit” për kërkesat e qeverisë italiane.
“Imazhet e ministrit Izraelit Ben Gvir janë të papranueshme. Është e papranueshme që këta protestues, përfshirë shumë qytetarë italianë, i nënshtrohen këtij trajtimi që shkel dinjitetin e tyre njerëzor”, thuhet në deklaratë.
Nga ana tjetër, nga Tirana zyrtare nuk ka asnjë reagim për shtetasin e saj që ka qenë nën duart izraelitësh.
Edhe pse qeveria shqiptare rreh gjoksin për miqësinë me këtë shtet gjakatar, kur vjen puna për të ndërhyrë për aktivistin Goxhaj, shfaqet e pagojë. /tesheshi



Të tjera
Pamjet e turpshme nga Izraeli që po trondisin botën: cili është fati i aktivistit shqiptar nga Vlora?
Shkenca tregon çfarë duhet të bëjnë meshkujt, për të kryer më shpesh marrëdhënie intime
Aksion i Policisë në Prizren: Sekuestrohen mbi 3 kilogramë ari të padeklaruar