IPK rekomandon suspendimin e dy policëve në Rahovec për dyshim të keqpërdorimit të detyrës

Policia e Kosovës shton masat e sigurisë për zgjedhjet e 7 qershori

Policia e Kosovës ka intensifikuar përgatitjet për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 7 qershorit, duke zhvilluar të premten takime koordinuese me strukturat e saj drejtuese, institucionet e drejtësisë, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.

Takimi i parë u mbajt në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Prishtinë me drejtorët rajonalë dhe drejtuesit e departamenteve policore, ku u diskutuan planifikimet operative, masat e sigurisë dhe angazhimet policore për garantimin e një procesi zgjedhor të qetë dhe të sigurt në gjithë vendin.

Në takimin e dytë morën pjesë përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, KQZ-së dhe misioneve ndërkombëtare që monitorojnë procesin zgjedhor. Gjatë diskutimeve u prezantuan përgatitjet policore, masat e sigurisë dhe mekanizmat e koordinimit ndërinstitucional për ditën e zgjedhjeve.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se procesi zgjedhor deri më tani është karakterizuar nga një situatë e qetë dhe pa incidente që do të cenonin sigurinë publike apo zhvillimin normal të aktiviteteve zgjedhore.

Sipas Policisë, janë përcaktuar detyrat operative dhe aktivitetet koordinuese që do të zbatohen para, gjatë dhe pas votimit, me fokus në ruajtjen e rendit publik, sigurinë e qendrave të votimit dhe garantimin e ushtrimit të lirë të së drejtës së votës.

Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin për të siguruar një proces zgjedhor të sigurt, transparent dhe demokratik, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo rast të dyshuar apo veprim të kundërligjshëm përmes numrit emergjent 192, stacioneve policore ose kanaleve zyrtare të komunikimit.