Schmidt jep dorëheqje nga posti i Përfaqësuesit të Lartë në BiH

Schmidt jep dorëheqje nga posti i Përfaqësuesit të Lartë në BiH

Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, ka dhënë dorëheqje nga posti pas gati pesë vitesh në krye të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë.

Ai tashmë e ka informuar Bordit Drejtues të Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC) për vendimin e tij dhe ka kërkuar nisjen e procedurës për zgjedhjen e pasardhësit.

Schmidt do të vazhdojë të ushtrojë detyrat e tij deri në përfundimin e procesit të emërimit të përfaqësuesit të ri.

Aktualisht, ai ndodhet në New York, ku po prezanton raportin vjetor në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Sipas gazetës “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), Shtetet e Bashkuara kanë ushtruar presion prej muajsh duke kërkuar dorëheqjen e tij, ndërsa thuhet se Uashingtoni dëshiron një pasardhës “më të lehtë për t’u menaxhuar”.

Po ashtu, FAZ raporton se një kompani amerikane e lidhur me Donald Trump është e interesuar për ndërtimin e një gazsjellësi në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa Schmidt ka shprehur shqetësim për projektin.

Dorëheqja e tij vjen edhe pas kërkesave të përsëritura nga Republika Srpska për largimin e tij, duke e konsideruar emërimin e tij të paligjshëm.

Gjatë mandatit të tij, Schmidt ka paralajmëruar vazhdimisht për politika shkëputëse, bllokada institucionale dhe përpjekje për minimin e Bosnje dhe Hercegovinës, duke theksuar se komuniteti ndërkombëtar mbetet në mbështetje të vendit.

Zyra e Përfaqësuesit të Lartë ekziston që nga përfundimi i luftës në Bosnje dhe Hercegovinë dhe ka për detyrë mbikëqyrjen e rendit të pasluftës dhe zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit. Schmidt ishte emëruar më 27 maj 2021 dhe kishte marrë detyrën zyrtarisht më 2 gusht të po atij viti. / Burimi: Europeanwesternbalkans