Sipas mediave gjermane, zyrtarët doganorë në Stuttgart kanë sekuestruar më shumë se 250 kilogramë produkte mishi të ndaluara për import gjatë kontrollit të një autobusi ndërkombëtar që vinte nga Kosova.
Ngjarja ka ndodhur në terminalin e autobusëve të aeroportit të Stuttgartit, ku autoritetet kishin përzgjedhur për kontroll autobusin dhe kishin verifikuar mallrat e transportuara. Siç raportohet, për shkak të një erë të fortë nga bagazhi, është ngritur dyshimi për ushqime të ndaluara, ndërsa gjatë kontrollit janë gjetur gjithsej 252.8 kilogramë produkte mishi.
Sipas raportimeve, gjatë kontrollit janë zbuluar edhe 700 cigare kontrabandë si dhe mallra të tjera, përfshirë katër dritare alumini me roleta në vlerë 720 euro, një kuzhinë (400 euro) dhe një klimë (640 euro), të futura në Bashkimin Evropian pa deklarim doganor.
Mediat gjermane bëjnë të ditur se ndaj dy shoferëve të autobusit dhe një personi që kishte ardhur për të marrë mallrat janë nisur procedura penale për dyshim të kontrabandës së importit. Po ashtu, shoferët pritet të përballen edhe me gjobë për import të paligjshëm të produkteve të mishit.
Raportohet gjithashtu se gjatë kontrollit është gjetur një qenush i racës Maltipoo, rreth pesë muajsh, me vlerë rreth 2,200 euro, i cili dyshohet se nuk kishte vaksinimin e nevojshëm kundër tërbimit. Kafsha është dërguar në një strehimore dhe është vendosur në karantinë, ndërsa edhe për këtë rast është hapur procedurë për dyshim të importit me qëllim tregtar.
Sipas raportimeve, importi i produkteve me origjinë shtazore nga vendet jashtë BE-së i nënshtrohet rregullave të rrepta për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve të kafshëve.




Të tjera
Mos e ndani nga tryeza ujin me limon
Sezoni mbyllet për Wootenin, goditje e rëndë për Bashkimin para ndeshjes vendimtare
Kurti takon Kaja Kallas, thekson përkushtimin për integrim evropian