Sërish përplasje në Kuvend për ndryshimin e rendit të ditës

Sërish përplasje në Kuvend për ndryshimin e rendit të ditës

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur me debat mes pozitës dhe opozitës lidhur me propozimet për ndryshimin e rendit të ditës.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka propozuar shtimin e dy pikave të reja: Projektligjin për Energjinë dhe Projektligjin për Energjinë Elektrike, të cilat sipas saj duhet të renditen si pika e gjashtë dhe e shtatë.

Po ashtu, ajo ka kërkuar që propozimi për dy kandidatët për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese të vendoset si pikë e tetë e rendit të ditës.

Këto propozime janë kundërshtuar nga partitë opozitare.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka deklaruar se projektligjet po procedohen me nxitim dhe pa analizë të duhur.

Sipas tij, paketa ligjore prek në mënyrë të gjerë bazën juridike, ekonomike dhe organizative të sektorit energjetik.

Kundërshtime ka shprehur edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Deputetja Jehona Lushaku-Sadriu ka kritikuar mënyrën e procedimit të projektligjeve, duke kërkuar respektimin e afateve dhe procedurave të rregullta parlamentare.

Ndërkaq, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, deputeti Besnik Tahiri ka bërë të ditur se kjo parti nuk do të mbështesë shmangien e procedurave pa një urgjencë të qartë.

Ai theksoi se prioritet duhet të jetë adresimi i çështjeve konkrete për qytetarët, përfshirë politikat që lidhen me çmimin e energjisë elektrike.