Situata me qentë endacakë në QKUK, krijohet Shtab Emergjent

Situata me qentë endacakë në QKUK, krijohet Shtab Emergjent

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka njoftuar se ushtruesi i detyrës së këtij institucioni shëndetësor, Mentor Zejnullahu, ka iniciuar formimin e një Shtabi Emergjent në kuadër të QKUK-së, si reagim ndaj situatës së krijuar nga prania e qenve endacakë brenda kampusit të institucionit.

 

“Qëllimi i këtij shtabi është të sigurojë mbrojtjen e menjëhershme të pacientëve, stafit shëndetësor, vizitorëve dhe qytetarëve, përmes koordinimit ndërinstitucional dhe zbatimit të masave urgjente për identifikimin, kontrollin, largimin dhe parandalimin e rrezikut nga qentë endacakë”, thuhet në njoftim.

Kanë bërë të ditur se Shtabi Emergjent përbëhet nga përfaqësues të strukturave të brendshme të QKUK-së, përfshirë drejtues institucionalë, përfaqësues nga Klinika Emergjente, Zyra Ligjore, si dhe Shërbimi i Sigurimit dhe zjarrfikësve.

Në këtë mekanizëm, thonë ata,  janë përfshirë edhe institucionet relevante jashtë QKUK-së, si Komuna e Prishtinës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Policia e Kosovës, kompania kontraktuese për trajtimin e qenve endacakë, Inspektorati komunal, si dhe organizata të licencuara për mbrojtjen e kafshëve.

Krijimi i këtij Shtabi Emergjent vjen pas disa rasteve të sulmeve nga qentë endacak të kalimtarëve por edhe të vetë stafit brenda oborrit të këtij institucioni.