Situata në veri, kërkesa e fundit e Kurtit drejtuar NATO-s – ekspertët e sigurisë në “dyshime”

Tash e një kohë situata në veri vazhdon të jetë e tensionuar, me Serbinw që në vazhdimësi nxit dhe provokon tensione.

Përgjegjësinë për sigurinë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë e ka misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR. Ndërsa, pjesën tjetër të vijës kufitare e mbikëqyr Policia e Kosovës.

E duke parë zhvillimet e fundit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga NATO-ja që ta kthejë zonën tokësore të sigurisë në një perimetër prej 5 kilometrash përgjatë kufirit të Kosovës me Serbinë.

Kërkesën për kthimin e masës së hequr 23 vjet më parë, ai e justifikoi me aktivitetet e Serbisë për afrimin e ushtrisë dhe artilerisë në kufi me Kosovën gjatë dy vjetëve të fundit.

“Meqë brenda dy vjetëve Serbia ka sjellë katër herë ushtrinë e saj te kufiri ynë, duhet rikthyer zona tokësore e sigurisë që NATO e quan ‘ground safety zone’, në gjerësinë 5 kilometra rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë. Ajo u hoq në gusht të 2001-s, kur kryeministër ishte Zoran Gjingjiç që e vranë dhe këtë po e keqpërdor regjimi i Aleksandër Vuçiç”, ka thënë kryeministri Kurti, gjatë adresimit në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, parti të cilën e udhëheq.

Kurti theksoi se udhëheqja aktuale në Serbi ka mbetur agresore, sikurse gjatë kohës së luftës.

E në lidhje me këtë kërkesë të Kurtit dhe se sa ka gjasa që kjo të merret parasysh nga NATO, folën njohësit e çështjeve të sigurisë.

Gecaj: Kjo kërkesë e Kryeministrit të Kosovës nuk do të përmbushet

Image

Hysen Gecaj

Foto galeri

E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj.

Fillimisht, ai foli mbi situatën në veri, shtrirjen e sovranitetit në këtë pjesë të vendit, si dhe shtimin e numrit të trupave të KFOR-it.

“Nëse kthehemi në retrospektivë, mund të gjejmë mjaftueshëm deklarata ku thuhej se rruga apo mënyra të cilën e ka zgjedhur Kurti për ta kthyer sovranitetin në veri është e gabuar sepse kjo mund të ripërtëri Rezolutën 1244. Tashmë kjo ka ndodhur me shtimin e trupave të KFOR-it në veriun e Kosovës, shtim ky që ka për qëllim parandalimin e çfarëdo incidenti në këtë hapësirë të trazuar të Kosovës, si pasojë e humbjes së besimit në autoritetet kosovare për shkak të politikave të pakoordinuara dhe të njëanshme të Kryeministrit Kurti”.

Krahas kësaj, Gecaj vlerësoi se ka acarim të raporteve të qeverisë sonë me NATO-n, derisa nuk beson se do përfillet kërkesa e Kurtit për rritjen e zonës së sigurisë.

“Ky mosbesim ka bërë që këto trupa të KFOR-it të shtohen në veri pa u pyetur Qeveria e Kosovës mbi mandatin që ka kjo forcë ndërkombëtare në Kosovë. Vetë fakti që NATO më nuk e konsulton fare qeverinë tone, flet për një acarim të raporteve me ndërkombëtarët në veçanti SHBA”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, eksperti shtoi se kërkesa e Kurtit nuk përmbushet, pasi çështjet e sigurisë mbështeten në vlerësimet e KFOR-it e NATO-s.

“Nga kjo sa u tha më lartë mund të kuptojmë që kërkesat tona drejtuar NATO-s do të hasin në vesh të shurdhër dhe është e qartë se kërkesa e Kryeministrit Kurti bëhet për qëllime fushate paraelektorale. Çështjet e sigurisë tani mbështetën plotësisht në vlerësimet e KFOR-it dhe NATO-s, prandaj kjo kërkesë e Kryeministrit të Kosovës nuk do të përmbushet”, përfundoi Hysen Gecaj për “Bota sot”.

Hoxha: Efekt kjo kërkesë e Kosovës, nuk do të ketë dhe nuk është hera e parë që kërkohet një gjë e tillë

Image

Hafir Hoxha

Foto galeri

Edhe ish-ushtaraku Hafir Hoxha nuk beson se do përfillet kjo kërkesë e Kurtit nga ana e NATO-s.

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” përmendi marrëveshjen e Kumanovës dhe rezolutën 1244, derisa tha se zona e veriut kontrollohet nga KFOR-i.

“Zona e sigurisë e territorit të Serbisë rreth kufirit me Kosovën është në kuadër të marrëveshjes së Kumanovës dhe në kuadër të rezolutës 1244, dhe për respektimin e saj është përgjegjës KFOR-i, këto kontrolle të lëvizjeve të trupave ushtarake serbe në këtë zonë duhet të kontrollohen nga KFOR-i dhe ata në takimet e rregullta me ushtrinë serbe që i kanë, duhet t’i zgjidhin këto provokime”.

Gjithashtu, ai kërkoi kujdes nga Kosova, në rastin kur kërkon një gjë të tillë nga ndërkombëtarët.

“Shteti i Kosovës mundet me e përmend si problem, duhet t’ua bëjë me dije faktorit ndërkombëtar që po shkelet ajo marrëveshje, por nëse Kosova e kërkon përgjegjësinë nga Serbia, atëherë duhet pas kujdes sepse me atë marrëveshje, Serbia rregullisht kërkon që të respektohet në tërësi e po të ishte ashtu atëherë ajo i kërkon disa favore për veti që nuk realizohen siç ishin paraparë me atë marrëveshje”, theksoi ish-ushtaraku.

Në fund, ai shtoi se kjo kërkesë dëshmon para ndërkombëtarëve se Kosova po e përcjellë situatën e sigurisë në vend.

“Efekt kjo kërkesë e Kosovës, nuk do të ketë dhe nuk është hera e parë që kërkohet një gjë e tillë.

Unë e kuptoj këtë kërkesë vetëm si shenjë që i përcillet Serbisë dhe faktorit ndërkombëtar që Kosova është duke e përcjellë situatën dhe ka gjasa të jetë një kërkesë politike për faktorin e brendshëm politikë tani para zgjedhjeve”, përmbylli Hafir Hoxha