Dita e Çlirimit të Prishtinës këtë vit do të shënohet me një ngjarje të veçantë sportive që do të mbledhë në një vend futbollistë të njohur, artistë, figura publike dhe personalitete të tjera të jetës shoqërore në Kosovë.
Nën patronatin e Kryeqytetit të Prishtinës dhe në organizim të Prishtina Tournament, stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë skena e një ndeshjeje festive që synon të sjellë atmosferë feste dhe bashkimi për qytetarët.
Në qendër të spektaklit do të jenë dy futbollistët e njohur kosovarë, Milot Rashica dhe Fisnik Asllani, të cilët do të udhëheqin ekipet e tyre si kapitenë të mbrëmjes në një përballje simbolike kushtuar kësaj date të rëndësishme për kryeqytetin.
Organizatorët kanë bërë të ditur se pjesë e aktivitetit do të jenë edhe emra të njohur nga sporti, muzika, media dhe jeta publike, të cilët do të prezantohen në ditët në vijim.
Sipas tyre, kjo ndeshje shkon përtej aspektit sportiv, duke shërbyer si një festë e qytetit dhe një mundësi për të nderuar historinë e Prishtinës përmes figurave që kanë lënë gjurmë në fusha të ndryshme të jetës.
Qytetarët janë ftuar të marrin pjesë në këtë mbrëmje festive për të shënuar së bashku Ditën e Çlirimit të Prishtinës.



Të tjera
Dyshoni se jeni shtatzënë, këto janë 4 shenjat
Man City përgatit ofertë të majme për Valverden
Begaj reagon pas mb*ytjes së dy të rinjve nga Kosova në Shëngjin, apel për rritje të sigurisë në plazhe