Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e sotme zonën bregdetare të Shëngjinit ku dy të rinj kanë humbur jetën si pasojë e mbytjes në det, ndërsa tre të tjerë janë shpëtuar në plazhin e “Ranës së Hedhun”. Ngjarja ndodhi pasditen e sotme, kur pesë pushues, shtetas nga Kosova, u përballën me vështirësi ekstreme për shkak të dallgëve të larta në det.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Lezhës, incidenti u raportua rreth orës 16:30. Era e fortë kishte shkaktuar dallgë të mëdha, duke krijuar një situatë rreziku për grupin e pushuesve që ndodheshin në ujë.
Operacioni i shpëtimit ishte një përpjekje e përbashkët e autoriteteve dhe qytetarëve. Sipas njoftimit të policies, ka qenë një reagim i menjëhershëm i qytetarëve që ndodheshin në zonë me mjete lundruese tip “Jet Ski”, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, që bënë të mundur nxjerrjen e pesë personave nga uji.
Bilanci tragjik
Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë dhe transportimit të tyre me urgjencë në Spitalin Rajonal të Lezhës, dy prej shtetasve nuk kanë mundur t’u mbijetojnë pasojave, duke ndërruar jetë. Tre të tjerët ndodhen nën kujdesin mjekësor të stafit të spitalit.
“Falë reagimit të menjëhershëm të qytetarëve me Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e 5 shtetasve nga Kosova, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal Lezhë për marrjen e ndihmës mjekësore,”, deklaroi Policia e Lezhës në njoftimin e saj.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, është duke vijuar veprimet për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj tragjedie. Identitetet e viktimave dhe të mbijetuarve nuk janë bërë ende publike nga autoritetet./rtsh.al/



Të tjera
Tr@gjedia në Shëngjin: Víktimat raportohet se janë nga Kosova
Stuhitë i afrohen Shqipërisë, pritet të përfshihet edhe Kosova
Vlerat ushqyese të piperit të kuq, që nga ndalimi i hemorragjive e deri tek mbrojtja e zemrës