Sveçla: Epilogu i vrasjes së Deharit s’ka pse të vonojë asnjë ditë më shumë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se epilogu i vrasjes së Astrit Deharit nuk ka pse të vonojë më shumë, pasi siç është shprehur 8 vite padrejtësi janë mjaft të gjata dhe të vështira. Sipas Sveçles asnjëherë nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë vullneti për të sjellë drejtësi për Deharin por ka thënë se duhet të jetë i përbashkët. “Mungesa e Astritit mes nesh, mes shokëve, shoqeve e në familje vërehet e rëndohet çdo ditë e më shumë. Astriti ishte aktivisti shembullor fjalë pak e punë shumë, i rritur e edukuar me ideale që familja Dehari i përcolli i ndër breza. Vrasja e tij tronditi rëndë secilin prej nesh ndërsa edhe më rëndë peshon zvarritja e zbardhjes së rastit të tij. Asnjëherë nuk ka munguar e as nuk do të mungojë vullneti dhe përkushtimi ynë për të sjellur drejtësinë për Astritin, por si i tillë ai duhet të jetë i përbashkët. 8 vjet padrejtësi janë shumë të gjata e të vështira andaj epilogu i vrasjes së tij nuk ka pse të vonojë asnjë ditë më shumë. Si çdo ditë, edhe sot kujtojmë e nderojmë shokun e bashkëaktivistin tonë Astrit Dehari, idealet e tij janë udhërrëfyesi më i qartë i punës sonë të përditshme”, ka shkruar ai në Facebook.