Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, tregojnë se gjatë shkurtit, 135 çifte u ndanë, ndërsa krahasuar me muajin janar, rritja konsiderohet për rreth 53.4%. Bazuar në statistika, Prizreni shënoi numrin më të lartë të ndarjeve, ku 19 çifte bashkëshortësh i dhanë fund martesës së tyre, duke u pasuar nga Gjakova me 11 raste të divorceve, e Ferizaj me 10.
Avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi, tregoi se pse ky fenomen është në rritje.
Sipas saj, faktori kryesor që çon në prishje të martesave është mospërputhja e karaktereve të bashkëshortëve për jetën e përbashkët.
“Arsye të tjera janë shkelja e besnikërisë, përdorimi i alkoolit dhe lëndëve narkotike”, shtoi avokatja.
Lidhur me këtë dukuri në rritje, për Klankosova.tv ka ndarë mendimet edhe sociologu Labinot Kunushevci.
I pyetur se si ndikon ndarja e prindërve te fëmijët, ai tha se ka impakt emocional dhe social.
“Ndikimi i ndarjes së prindërve te fëmijët është më shumë emocional dhe social. Zhvillimi i fëmijëve kërkon kujdes të shtuar, mbështetje emocionale, trajtim human, që të mos rriten me ndjenjën e inferioritetit, izolimit, mangësive dhe mospërmbushjes”, tha ai.
“Fëmijët përjetojnë ankth dhe kjo mund të ndikojë edhe në performancën e tyre në shkollë, në zhvillimin e raporteve shoqërore e në formimin e personalitetit”, shtoi sociologu.
Se si mund të ulet numri i ndarjeve bashkëshortore, Kunushevci thotë se varet nga mënyra e trajtimit të martesës dhe familjes.
“Zvogëlimi i rritjes së rasteve të divorcit varet nga mënyra se si po trajtohet martesa dhe familja sot. Pra, përderisa kemi të rinj që futen të papërgatitur emocionalisht dhe kulturalisht në martesë duke krijuar familje pa maturinë dhe pjekurinë e nevojshme, në sfidat më të vogla thyhen. Sepse martesa nuk është eksperiment apo aventurë, përtej tyre është përgjegjësi, sakrificë. Pra është ndërmarrja më e rëndësishme e jetës”, deklaroi Konushevci.
Nga ana tjetër, psikologia Flaka Ymeri, ka treguar se si ndikon ndarja në shëndetin mendor të çifteve.
Sipas saj, ndarja nuk është vetëm çështje personale, por edhe sociale.
Ajo thotë se partnerët humbasin një identitet (p.sh. bashkëshort/e), që është pjesë e strukturës së tyre në shoqëri, ndërsa shtoi se pas ndarjes shpesh zvogëlohet rrjeti shoqëror. Ndër të tjera,sipas psikologes, ka stres dhe ankth te disa çifte pasi pasiguria ekonomike dhe emocionale rrit tensionin.
Ymeri shton se mund të shfaqen edhe simptoma të depresionit, ankthit, ose vetëvlerësim i ulët.
“Në sociologji kjo lidhet me teorinë e ‘krizës së tranzicionit të rolit’ – kur një individ kalon nga një rol social në tjetrin”, tha ajo.
Ajo potencon se ka rritje të personave që kërkojnë ndihmë psikologjike pas ndarjes.
“Në shoqëritë moderne është normalizuar kërkimi i ndihmës profesionale. Shumë individë kërkojnë ndihmë nga Psikoterapia për të përballuar ndarjen. Sociologjikisht, kjo lidhet me: Rënien e mbështetjes tradicionale (familja e zgjeruar); Rritjen e individualizmit; Rritjen e ndërgjegjësimit për shëndetin mendor”, shprehet psikologia.
Pra po, gjithnjë e më shumë njerëz i drejtohen psikologut pas ndarjes.
Pse po ndodh kjo dukuri (ndarjet dhe kërkimi i ndihmës?)
Ymeri thotë se nga aspekti sociologjik, ka disa arsye kryesore.
Individualizmi modern
Njerëzit sot vendosin më shumë theks te lumturia personale sesa te qëndrueshmëria e marrëdhënies me çdo kusht. Nëse marrëdhënia nuk funksionon, ndarja shihet si zgjidhje normale.
Ndryshimi i roleve gjinore
Gratë janë më të pavarura ekonomikisht – nuk qëndrojnë në marrëdhënie të pakënaqshme. Kjo ka rritur shkallën e ndarjeve.
Presioni i jetës moderne
Stresi ekonomik, puna, rrjetet sociale – ndikojnë në konfliktet në çift.
Dobësimi i normave tradicionale
Në të kaluarën ndarja stigmatizohej më shumë. Sot shoqëria është më e hapur ndaj divorcit dhe terapisë.
Ndërgjegjësimi për shëndetin mendor
Njerëzit janë më të informuar dhe më të gatshëm të kërkojnë ndihmë profesionale.



Të tjera
Nderime shtetërore për Qosjen, Haxhiu hap nesër Librin e Zisë
Turqia dhe Britania nënshkruajnë dokumentin e “partneritetit strategjik” për të thelluar lidhjet në siguri dhe tregti
FIFA refuzon zëvendësimin e Iranit me Italinë në Kupën e Botës