Përfaqësues të UEFA-s kanë zhvilluar vizitën e radhës në Shqipëri në kuadër të përgatitjeve për finalet e Kampionatit Europian U-21 2027, ku vendi ynë do të jetë një nga dy organizatorët e këtij kompeticioni prestigjioz.
Gjatë katër ditëve të inspektimeve, ekspertët e UEFA-s kanë vizituar stadiumet që do të presin ndeshjet e turneut, duke u fokusuar në aspektet teknike dhe operacionale të organizimit. Në qendër të vëmendjes kanë qenë sistemet e ndriçimit, gjeneratorët rezervë, masat e sigurisë dhe elementë të tjerë të rëndësishëm që lidhen me standardet e kërkuara nga UEFA për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare.
Vizita nisi me inspektimin e stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër, ndërsa më pas delegacioni u ndal në “Elbasan Arena”. Në ditën e tretë të axhendës, përfaqësuesit e UEFA-s zhvilluan vizita në stadiumin “Air Albania” dhe në “Arena e Demave”, dy impiante ku aktualisht po kryhen investime të rëndësishme infrastrukturore në funksion të EURO U-21 2027.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, delegacioni u njoh nga afër me ecurinë e punimeve në stadiumin “Air Albania”, ku po realizohet përmirësimi i bazamentit të fushës dhe vendosja e një tapeti të ri me bar hibrid, sipas standardeve më të larta të UEFA-s.
Po ashtu, përfaqësuesit e UEFA-s panë nga afër edhe punimet që po zhvillohen në “Arena e Demave”, ku ka nisur procesi i zëvendësimit të tapetit artificial me bar natyral. Ky investim përfshin heqjen e sipërfaqes ekzistuese, instalimin e sistemit të vaditjes dhe krijimin e një terreni të ri loje, që do të përmbushë kërkesat për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare.
Vizita e radhës konfirmon bashkëpunimin e ngushtë mes FSHF-së dhe UEFA-s në kuadër të organizimit të finaleve të Kampionatit Europian U-21 2027. Federata e Futbollit vijon të punojë për përmbushjen e të gjitha standardeve organizative dhe infrastrukturore, me synimin që Shqipëria të presë me sukses një nga eventet më të rëndësishme të futbollit europian për të rinj.



Të tjera
Vazhdon puna në QNR, KQZ: U numëruan 102 nga 223 kuti votimi përmes postës
Nuk hani perime, gjenet mund të jenë fajtore
Nico Paz pritet të qëndrojë te Como, Mourinho nuk i garanton vendin e titullarit