Mbrëmë në mesnatë është përmbyllur periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për të votuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që mbahen më 7 qershor.
Në bazë të të dhënave preliminare nga KQZ, nga fillimi i këtij procesi, më 6 maj dhe deri në përfundim të tij, më 17 maj 2026, përmes platformës elektronike janë pranuar 142,803 kërkesa për regjistrim, prej të cilave deri më tani janë aprovuar 109,696, ndërsa 7,325 të tjera janë refuzuar dhe 25,702 janë në pritje për shqyrtim.
“Mënyra më e përzgjedhur për të votuar, është votimi përmes postës. Nga 109,696 aplikime të aprovuara, 81,901 shtetas janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës, 2,855 të tjerë për të dërguan pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 24,940 janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, ka theksuar Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votimi jashtë vendit zhvillohet më herët.
“Planifikohet që votimi përmes postës të fillojë më 25 maj dhe të përfundojë më 6 qershor, ndërkaq, votimi në përfaqësi diplomatike organizohet më 6 qershor”, ka shtuar ai.
Sipas tij për votimin me postë, janë funksionalizuar kutitë postare në 23 shtete të ndryshme të botës, përfshirë Kosovën, dhe adresat e tyre do të bëhen publike gjatë kësaj jave. Kurse, për votimin fizik në përfaqësi diplomatike, KQZ do të saktësojë numrin e ambasadave dhe konsullatave në të cilat do të organizohet ky lloj votimi.
“Sipas vendimit fillestar, procesi i votimit planifikohej të organizohet në 48 përfaqësi diplomatike me gjithsej 70 vendvotime, prej të cilave 33 ambasada dhe 15 konsullata. Megjithatë, pasi në periudhën e regjistrimit ka një numër përfaqësish që kanë më pak se 50 votues të regjistruar, KQZ do ta rishikojë listën e përfaqësive diplomatike në të cilat do të organizohet votimi më 6 qershor”, ka shtuar Elezi.
Sipas tij Rregullorja Zgjedhore për Regjistrimin dhe votimin jashtë Kosovës parasheh që nëse numri i votuesve të regjistruar për votim në një përfaqësi diplomatike është nën 50, votimi fizik në atë përfaqësi diplomatike nuk organizohet dhe votuesit e regjistruar do të kalojnë automatikisht në statusin e votuesve përmes postës dhe për këtë do të njoftohen nga KQZ./rtk



Të tjera
FSK-ja drejt ushtrisë, por pa spital ushtarak
Ylli i Barçës e humb Botërorin, shkaku i lëndimit
Mjalti i bletëve mund të zbulojë sesa i pastër është qyteti juaj