Vrasja e recepsionistit në Dhërmi, arrestohet shoferi i ambulancës, filmoi trupin e 31-vjeçarit

Shoferi i ambulancës që transportoi trupin e pajetë të Eraldo Nevruzit është arrestuar nga policia. 31-vjeçari Nevruzi u vra me armë zjarri nga Gerald Shehu, i cili është arrestuar në Greqi.

Arrestimi i shoferit të ambulancës u bë pas informacioneve se 62-vjeçari kishte filmuar trupin e pajetë të Nevruzit për t’ia dërguar mediave.

“Në vijim të veprimeve hetimore që po kryhen nga grupi hetimor për dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së shtetasit E. N., grupi hetimor ka marrë informacion se shoferi i autoambulancës që po transportonte për në morgun e Vlorës trupin e shtetasit E. N., i cili u vra me armë zjarri nga shtetasi G. Sh., kishte filmuar me aparat celular trupin e pajetë për t’ua dërguar burimeve mediatike me qëllim publikimin.

Bazuar në këtë informacion, shtetasit A. I., 62 vjeç, me detyrë shofer i ambulancës së morgut, i është bërë këqyrja e aparatit celular nga grupi hetimor, ku i janë gjetur pamjet filmike të trupit të shtetasit E. N., të cilat ua kishte dërguar burimeve mediatike me qëllim publikimin”, thuhet në njoftim.

Si bashkëpunëtorë të dyshuar të ngjarjes janë arrestuar Daniel Qose 33 vjeç dhe David  Larti 30 vjeç.