Belgjika 1 780x439

Ylli i Belgjikës njofton tërheqjen nga kombëtarja pas zhgënjimit në Euro 2024

Jan Vertonghen, lojtari me më shumë paraqitje në historinë e Belgjikës, ka njoftuar tërheqjen e tij nga futbolli ndërkombëtar.

Mbrojtësi 37-vjeçar, i cili bëri tre paraqitje për skuadrën e Domenico Tedesco në Euro 2024 ka thënë se nuk e shihte turneun e kësaj vere si të fundit përpara ndeshjes hapëse të Belgjikës kundër Sllovakisë.

Por, ish-qendërmbrojtësi i Spurs ka vendosur të vari këpucët e tij në gozhdë në skenën ndërkombëtare, vetëm disa ditë pasi Djajtë e Kuq u mundën nga Franca në fazën e 1/8-tës.

Duke postuar në Instagram mëngjesin e sotëm (e premte), ai konfirmoi vendimin e tij.

“E para, e fundit. Faleminderit për të gjitha kujtimet, kam jetuar ëndrrën time”, ka shkruar shkurtimit Vertonghen në postimin, ku ka bashkangjitur edhe dy fotografi.

Vertonghen, i cili bëri debutimin e tij për ekipin e parë të Belgjikës në një humbje 2-1 ndaj Portugalisë në qershor 2007, bëri 157 paraqitje për vendin e tij.

Në fakt, nga të gjithë lojtarët në Euro 2024, vetëm Cristiano Ronaldo [Portugali – 207] dhe Luka Modric [Kroacia – 175] kanë përfaqësuar më shumë vendet e tyre.

Federata Belge e Futbollit reagoi gjithashtu ndaj lajmit në rrjetet sociale, duke thënë: “Nga terreni stërvitor në fushë, ju na keni treguar se çfarë do të thotë të jesh një ‘Djall i Kuq’ i vërtetë. Do të na mungosh, Jan!”.

Vertonghen luajti plot 90 minuta në humbjen e 1/8-tës ndaj Francës, pasi shënoi një autogol për të vulosur fatin e tyre.