Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka qenë në një turne nëpër kryeqytetet evropiane për të promovuar ‘planin e tij të fitores’ për të cilin thotë se “synon të krijojë kushtet e duhura për një fund të drejtë të luftës” kundër Rusisë.
Ai detajon propozimet për aleatët evropianë pasi një samit i planifikuar ku përfshihej presidenti amerikan Joe Biden u shty për shkak të uraganit Milton i cili ka shkaktuar shkatërrime në të gjithë Floridan.
Ndalesa e tij e tretë e ditës e solli atë në Itali dhe pas bisedimeve dypalëshe me Giorgia Meloni, kryeministrja italiane përsëriti mbështetjen e vendit të saj për Ukrainën.
“Një dimër i ri fillon tani. Është i treti me të cilin përballet Ukraina në këtë luftë dhe sot, gjysma e rrjetit të saj elektrik është jashtë funksionit. Përgjegjësia e komunitetit ndërkombëtar është të mbështesë Ukrainën në këtë përpjekje”, ka thënë ajo në një konferencë e përbashkët për shtyp.
“Presidenti Zelenskyy e di mirë se Italia i ka qëndruar në krah Ukrainës që në fillim të këtij konflikti. Ne kemi bërë gjithçka që mundemi dhe siç e kemi përsëritur këtë mbrëmje, jemi gati të vazhdojmë ta bëjmë këtë për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
Ndërkohë më herët gjatë ditës, bisedimet e Zelensky në Londër me kryeministrin britanik Keir Starmer dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte u pasuan shpejt nga një tjetër takim në Paris me presidentin francez Emmanuel Macron, i cili vetëm një ditë më parë dërgoi një sinjal të fortë mbështetjeje për Ukrainën duke vizituar trupat ukrainase që po trajnohen në Francë.
Zelensky ka thënë se ai kishte “ndarë detajet” e planit të fitores së Ukrainës me Starmer dhe shtoi, “Ne kemi rënë dakord të punojmë për të së bashku me aleatët tanë”.
Udhëheqësi ukrainas u takua gjithashtu me Rutte dhe Starmer.
Zelensky tregoi më pas se ata diskutuan bashkëpunimin transatlantik dhe përforcimin e mëtejshëm ushtarak të Ukrainës.
Ai nuk dha detaje, por theksoi se “këta janë hapat që do të krijojnë kushtet më të mira për rivendosjen e një paqeje të drejtë”.
Por koha e përpjekjeve të tij për të siguruar mbështetjen evropiane duket se kishte në mendje zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA.
Ish-presidenti Donald Trump, i cili mund të kthehet në Shtëpinë e Bardhë vitin e ardhshëm, ka qenë prej kohësh kritik ndaj ndihmës amerikane për Ukrainën.
Zelensky kishte planifikuar të paraqiste planin e tij në një takim të fundjavës së liderëve perëndimorë në Gjermani, por ai u shty pasi Joe Biden qëndroi ”në shtëpi” për shkak të krizës së uraganit që po ndodh aktualisht në Florida.
Të tjera
Komshiq pret Kurtin në Presidencë: Nuk do ta pyesim Dodikun, as këdo tjetër me kë të takohemi
“Edi Rama është urdhërdhënësi i këtij ndalimi” – Pse u ndalua kënga “Mora Fjalë” në stadiumet shqiptare?
Të arrestuarit nga Gjykata Speciale dërgohen në Hagë