Në një intervistë ekskluzive për gazetën ka folur, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
Ai i ka komentuar zhvillimet politike që po ndodhin në Kosovë e po ashtu ka folur edhe për punën, projektet e sfidat në komunën që udhëheq.
Sa i përket mos anëtarësimit të Kosovës në KiE dhe presionit për themelimin e Asociacionit, Bulliqi thotë se Kosovës iu bë një kërkesë e padrejtë dhe se me lënien jashtë nga KiE u dëmtuan qytetarët e Kosovës.
Sipas tij, qeveria është në fund të mandatit, andaj koha më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja do të ishte vjeshta e këtij viti.
Derisa, për zgjedhjet e ardhshme, përkatësisht se si do të jetë Vetëvendosje me rezultat, ai thotë se në bazë të sondazheve dallimi nuk do të jetë i madh nga zgjedhjet e kaluara.
Bulliqi, për punën në Komunën e Podujevës, ka thënë se nuk kanë sfida të mëdha me të cilat ballafaqohen.
Ai ka përmendur disa nga projektet që do të realizohen gjatë mandatit të tij.
Se a do të kandidojë sërish për kryetar komune, Bulliqi tha se njëherë është herët për këtë dhe se vendosin organet e partisë.
Intervista e plotë:
Kosova mbeti jashtë KiE-s, dhe Asociacioni mbetet ende temë, presioni është i madh nga ndërkombëtarët, Kurti nuk do ta themelojë, cila mendoni se është zgjidhja në këtë mes?
Shpejtim Bulliqi: Sa i përket çështjes së asociacionit, mendoj se është kërkesë e padrejtë që po i bëhet Kosovës, meqenëse Serbia nuk ka bërë asnjë hap drejt përmbushjes së obligimeve që ka marr nga marrëveshjet e kaluara me Kosovën me ndërmjetësimin e BE-së. E kanë thënë edhe diplomatët e huaj se Kosova e ka merituar të bëhet anëtare e KiE dhe lënia jashtë në këtë fazë konsiderojmë që më së shumti i është bërë dëm qytetarëve të Kosovës, të cilët do të mund t’i realizonin shumë të drejta përmes Gjykatës së Stratrsburgut. Pavarësisht që këtë shans e kemi humbur, mendoj që për një kohë jo të largët Kosova do të jetë anëtare e KiE, sepse Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet sa i përket anëtarësimit në këtë Këshill dhe çështja e Asociacionit është çështje politike që nuk ndërlidhet asgjë me KiE.
Kurti është takuar me Krasniqin dhe kanë diskutuar ndër tjera edhe për zgjedhje të parakohshme, cili është mendimi juaj për këtë?
Shpejtim Bulliqi: Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i ka ftuar të gjithë liderët e partive parlamentare për të diskutuar për të gjitha çështjet që atyre ju interesojnë përfshirë edhe zgjedhjet. Meqenëse Qeveria e Kosovës është në vitin e fundit të mandatit dhe zgjedhjet e rregullta do të duhej të mbaheshin në shkurtin e vitit të ardhshëm, do të ishte më e udhës sikur liderët partiak të dakordohen për një datë të zgjedhjeve që do të ishte më e përshtatshme për qytetarët, sesa shkurti për shkak të motit. Mendoj se koha më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare do të ishte vjeshta e këtij viti.
A mendoni se Vetëvendosje sërish do të dalë e para në zgjedhje?
Shpejtim Bulliqi: Të gjitha sondazhet që janë realizuar kohën e fundit e nxjerrin Vetëvendosjen si parti e parë, me një rezultat që nuk dallon nga zgjedhjet e vitit 2021.
Kalojmë pak te puna juaj si kryetar, si po ju ecin punët në komunë dhe cilat janë sfidat me të cilat po përballeni?
Shpejtim Bulliqi: Si qeverisje komunale nuk kemi sfida të mëdha me të cilat po ballafaqohemi. Ka nganjëherë vonesa në realizimin e projekteve nga ndonjë kompani, por që kjo nuk varet drejtpërdrejt prej neve por bie përgjegjësia në operatorin ekonomik që realizon projektin.
Si po shkon realizimi i planeve dhe projekteve tuaja për qytetin dhe qytetarët e Podujevës?
Shpejtim Bulliqi: Ka shumë projekte të mira që po realizohen gjatë kësaj kohe në komunën tonë me shifra milionëshe siç janë: Urgjenca e Qytetit, Stacioni i Autobusëve, Qendra Multifunksionale, ndërtimi i tri shkollave të reja, ndërtimi i dy çerdheve të reja, pa i përmendur edhe dhjetëra projekte të tjera që janë në realizim e sipër. Këto ditë pritet edhe fillimi i punimeve në ndërtimin e disa projekteve të mëdha siç janë: Zona Industriale, Parkingu Nëntokësor, Shkolla Ekonomike, Varrezat e Qytetit etj.
Sa keni përkrahjen e opozitës komunale në votimin e projekteve të reja?
Shpejtim Bulliqi: Nuk kemi asnjë projekt apo vendim që është bllokuar në kuvend për shkak të mungesës së votave.
Emergjenca dhe Stacioni i Autobusëve janë në ndërtim e sipër, kur mund të finalizohen dhe të hyjnë në funskion?
Shpejtim Bulliqi: Për projektin e Stacionit të Autobusëve po synojmë që për ditën e çlirimit të Podujevës, më 19 qershor të jetë gati dhe ta funksionalizojmë, kurse Urgjenca e Qytetit pritet që më pak se 2 muaj do të jetë gati dhe në shërbim të qytetarëve.
Z.Bulliqi, a do të kandidoni sërish për kryetar të Podujevës, nëse jo a keni menduar se kush do t’i përfaqësonte më së miri llapjanët
Shpejtim Bulliqi: Për këtë çështje është ende herët të flasim, kur vjen koha vendosin organet e partisë.
Të tjera
Artan Hoxha zbardh skemën: Si krimi i organizuar i ka dhënë Ramës 5-6 deputetë
“The Telegraph”: Trump i vë ‘pistoletën’ në kokë Zelenskyt, i kërkon gjysmën e Ukrainës!
“U rrëmbye, por arriti të shpëtojë”/ Zbardhen detaje nga riatdhesimi i 19-vjeçarit, në Sierra Leone shkoi edhe RENEA (Video)