Drejtor i KDI-së, Ismet Kryeziu, e ka dënuar veprimin e Policisë së Kosovës për të arrestuar politikanin serb, Aleksandar Arsenijeviq, vetëm pse ky i fundit fishkëlleu vizitën e kryeministrit Albin Kurti në veri.
Ai ka vlerësuar se kjo përbën shkelje të së drejtës për lirinë e shprehjes dhe lirinë e tubimit paqësor.
Në profilin e tij në “Facebook”, Kryeziu ka shkruar se këto të drejta janë të garantuar me Kushtetutë.
“Arrestimi i politikanit serb Aleksandar Arsenijeviç për fishkëllim ndaj vizitës së kryeministrit dhe dy ministrave në veri, besoj unë përbën shkelje të së drejtës për lirinë e shprehjes dhe lirinë e tubimit paqësor. Të drejta të cilat janë të garantuara jo vetëm me ligjet vendore, por edhe me konventa ndërkombëtare. Vizitat e shpeshta të ministrit Krasniqi dhe Sveçla ne komunat e veriut, po i sforcojnë përgjegjësitë e tyre për qeverisje vendore, sundimin e rendit dhe ligjit dhe po e zvogëlojnë Kosovën në katër komuna. Një qasje më e balancuar e demonstrimit të autoritetit, është e nevojshme për të siguruar një demokraci të qëndrueshme që mbështet të gjithë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia etnike apo rajonale”, ka shkruar Kryeziu.
Sipas tij, këto veprime dëmtojnë institucionet e Kosovës.
“Integrimi i qytetarëve serb dhe respektimi i të drejtave të tyre është një obligim dhe vlerë themelore që garanton funksionimin e demokracisë në Kosovë. Çdo shkelje e të drejtave të tyre civile, si dhe e secilit qytetar të Kosovës pa dallim etnie, dëmton institucionet demokratike dhe minon vlerat e Republikës së Kosovës.”, ka shkruar Kryeziu.



Të tjera
Kosova do ta ketë infrastrukturën më të mirë sportive në rajon
Përgatisni fëmijë të zgjuar para se të lindë
Si ta përgatisni shurupin e xhenxhefilit për ta trajtuar kollën?