Kosova vazhdon të mbetet pa institucione të reja, edhe tre muaj pas përfundimit të zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit.
Pas njëmbëdhjetë tentimesh ka dështuar zgjedhja e kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës, një post për të cilin partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, ka propozuar Albulena Haxhiun. Emri i saj është refuzuar nga opozita, duke e futur vendin në një krizë të thellë politike.
Duke parë bllokadën e krijuar, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka bërë ftesë për koalicion liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut.
“Si kryetar i LVV-së dhe kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, jam i interesuar dhe i gatshëm për marrëveshje politike me LDK-në. Sigurisht që kemi dallime në bindje politike dhe në politikat qeverisëse, por koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime, duke vendosur të drejtat dhe nevojat e shtetit dhe të qytetarëve si prioritet. Ne edhe mund të shkojmë në zgjedhje të reja, ku pak gjë mund të ndryshojë për LDK-në, dhe mandej sërish do të na duhet të ulemi bashkë për koalicionin LVV-LDK! Pse ta bëjmë atëherë më vonë, kur mund ta bëjmë tash? Pse edhe një palë zgjedhje për të njëjtin koalicion?”, thuhet ndër të tjera në letrën e Kurtit.
LDK t’i thotë po Kurtit
Por, analisti Nexhat Haziri shprehet se Abdixhiku duhet ta pranojë thirrjen e Kurtit për koalicion.
“Abdixhiku duhet t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit për takim dhe aty të propozohet një qeveri gjithëpërfshirëse, e cila do ta nxirrte vendin nga ky ngërç politik dhe ta përgatiste vendin për zgjedhje të parakohshme në prill të vitit të ardhshëm, kur është edhe koha për zgjedhjen e presidentit/presidentes”, u shpreh Haziri.
Sipas tij, përbërja aktuale e Kuvendit nuk ka konsensus për zgjedhjen e presidentit/presidentes.
“Nuk shoh mundësi të tjera, e aq më pak një koalicion qeverisës mes VV-së dhe LDK-së, për arsye të shumta. Njëra ndër kryesoret është se këto dy subjekte politike nuk kanë besim te njëra-tjetra dhe se lehtë mund t’u përsëritet historia”, thekson Haziri.
Opozita kundër VV-së
Ndërsa, analisti tjetër, Zejnullah Jakupi, thekson se PDK dhe LDK janë bashkë kundër Vetëvendosjes, gjë e cila u dëshmua edhe dje gjatë seancës së Kuvendit.
“Në përpjekjen e 11-të, PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK ishin kundër formimit të një komisioni që të votohet në mënyrë të fshehtë. Në seancat e fundit u vërtetua se këto parti janë bashkë. Nuk pranojnë votim të fshehtë. Ish-opozita duket se është e paorientuar, nuk është e gatshme për koalicion me LVV-në, ose anojnë sipas kalkulimeve të tyre. Kanë frikë se mos ndonjëra nga partitë i afrohet LVV-së. Këtë e tregoi reagimi i Gani Gecit, kur kishte kuptuar se PDK do t’i shkonte kryeministrit Kurti për të biseduar rreth formimit të organeve të Kuvendit. Prandaj secila reagon kundër LVV-së, sipas ‘dilemës së të burgosurit’. Gani Geci reagon në të njëjtën dilemë”, nënvizon Jakupi.
“Herë e sheh të mundshëm koalicionin me LVV-në dhe thotë se do të ishte një koalicion i madh shqiptar, por për këtë vendos kryesia e partisë, dhe e quan një koalicion me LVV-në si të keqen më të vogël të mundshme, ndërsa me PDK-në kurrsesi. Pra, kur PDK i afrohet LVV-së, fillojnë ankesat apo akuzat kundër LVV-së, dhe e kundërta: kur LVV i drejtohet LDK-së, reagon PDK. Të dyja kanë frikë se mos njëra nga partitë e mëdha po bën koalicion me VV-në”, shpjegon Jakupi.
Më tej, Jakupi deklaron se Abdixhiku është i gatshëm ta pranojë koalicionin me VV-në, nëse i ofrohet posti i kryeministrit.
Deklarimi i Lumir Abdixhikut se do të japë një përgjigje në letrën e kryeministrit Kurti duket shumë i cekët, sepse përmbajtja e letrës dihet. Aty nuk ka detaje për ndarje të posteve. Ai thotë se do ta shikojë në zyrë, që nënkupton se do të këshillohet me Këshillin e LDK-së. Kjo sugjeron se Abdixhiku do ta pranonte koalicionin, nëse i ofrohet posti i kryeministrit, ndërsa posti i presidentit i mbetet Albin Kurtit”, tha Zejnullah Jakupi.
Por, Jakupi hedh dyshime se LDK është më e lidhur me PDK-në sesa me VV-në.
“Të gjitha këto për momentin janë kalkulime. Kjo pajtueshmëri do të ishte edhe konstruktive dhe ndarja e ministrive do të ishte shumë fluide, ndërsa institucionet do të formoheshin shumë shpejt. Një dobësi që e tregon Lumir Abdixhiku është fakti se ai dhe LDK-ja janë fort të lidhur me PDK-në, sikur në çdo hap këshillohen prej saj që të mos hyjnë në koalicion me VV-në, duke e bërë akuzën e përbashkët se me Albin Kurtin nuk mund të qeveriset. LVV, nga ana e saj, nuk ka ndikim në LDK, siç ka PDK. Nëse do të thyhej ndikimi i PDK-së ndaj krerëve të LDK-së, atëherë ky koalicion do të bëhej brenda natës”, përfundon analisti Zejnullah Jakupi
Të tjera
Bislimi në darkë pune me ambasadorë të disa prej shteteve aleate dhe mike në Berlin
Dogana ndalon dhe asgjëson mbathje sportive të falsifikuara në Aeroportin e Prishtinës
Njerëzit e fortë nuk hakmerren…