Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla thotë se personi i arrestuar dje në Serbi nuk figuron të jetë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Syla në një intervistë për KosovaPress tha se sipas arkivave të kësaj organizate personi i arrestuar mbrëmë në Serbi nuk është veteran i UÇK-së.
“Jo, sipas të dhënave që i kemi, Organizata e Veteranëve të Luftës që i posedon arkivi i saj, poashtu edhe lista e veteranëve të Kosovës, personi në fjalë nuk rezulton të jetë luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, apo nuk e ka statusin e veteranit të UÇK-së”, tha ai.
Syla konfirmoi se bashkëluftëtarët e Pejës poashtu pohuan se nuk e kanë parë personin në fjalë në asnjë aktivitet të UÇK-së.
“Duke pasur parasysh faktin që shumë luftëtarë të lirisë nuk kanë aplikuar fare për statusin e veteranit të luftës, ne jemi interesuar edhe mbrëmë edhe sot gjatë ditës kemi komunikuar me bashkëluftëtarë të qytetit të Pejës dhe lagjes ku ai ka jetuar edhe ata e dëshmojnë një gjë të tillë dhe thonë që nuk e kanë takuar ndonjëherë në vijat e luftës apo në fronte të luftës apo qoftë edhe në ndonjë aktivitet tjetër të UÇK-së”, përfundoi ai.
Kujtojmë se dje mediat serbe raportuan për arrestimin e një ish ushtari të UÇK-së në Serbi. Personi i arrestuar me inicialet L.H është ndaluar në qytetin Svilajnac të Serbisë të martën.



Të tjera
Shenjat që tregojnë se keni nevojë për kalcium
Florentino Perezi po shtyn për Michael Olisen, mund t’i kushtojë 160 milionë euro
Gjethet e dafinës të mira për tretje dhe kundër diabetit