“Hetim për faturat e energjisë: Bajrami tregon për dëshminë e dhënë tek Prokuroria Speciale”

Hykmete Bajrami, deputet e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se çështja e energjisë elektrike po hetohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Bajrami ka deklaruar po ashtu edhe se ajo ka dhënë dëshmi në këtë prokurori në fillim të këtij muaji për atë që ajo vetë e quan ‘’mafia energjetike’’, shkruan Gazeta Express.

Bajrami ka deklaruar edhe se, çmimi i energjisë është dyfishuar për familjet dhe trefishuar për bizneset.

‘’Bashkë me rritjen e çmimit të energjisë, u rritën edhe çmimet e çdo produkti vendor dhe kjo hapi rrugën për rritjen e çmimeve të importeve’’, ka shkruar ajo mes tjerash.

Postimi:

Qytetarët këto ditë po marrin faturat e energjisë elektrike, fatura që po varfëron buxhetin e secilës familje.

Tetori s’ka qenë aspak i ftohtë, por secili prej tyre tashmë brengoset: sa do të jetë fatura në nëntor, dhjetor e janar?

Mos harroni kurrë:

Gjatë këtij mandati, çmimi i energjisë elektrike u dyfishua për familjet dhe u trefishua për bizneset.

Bashkë me rritjen e çmimit të energjisë, u rritën edhe çmimet e çdo produkti vendor dhe kjo hapi rrugën për rritjen e çmimeve të importeve.

Kjo është dhurata e drejtpërdrejtë e politikave të Kurtit, politikë që pasuron disa dhe po varfëron secilën familje në Kosovë.

Por ka një lajm të mirë:

Çështja e energjisë elektrike po hetohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Në fillim të këtij muaji kam dhënë dëshminë time në Prokurorinë Speciale, për atë që unë e quaj mafi energjetike!