Partia Demokratike e Kosovës (PDK), aktualisht forca e dytë më e madhe parlamentare në vend, po shkon drejt zgjedhjes së udhëheqësit të ri, në përpjekje për ta sjellë në krye dikë që mund ta sfidojë kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, partia e së cilit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka qenë në pushtet nga viti 2021 dhe ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Kryetari i deritanishëm, Memli Krasniqi, dha dorëheqje papritmas të mërkurën dhe e thirri Konventën e partisë për të hënën e 17 nëntorit, duke thënë se ka ardhur koha për një momentum dhe mundësi të re për “familjen tonë demokratike”.Një ditë më vonë, Bedri Hamza, kandidati i saj për kryeministër në zgjedhjet e këtij viti, njoftoi se do të garojë për kryetar, duke premtuar reforma, për ta rikthyer PDK-në “ si partinë kryesore në vend”.
Derisa po dukej se gjithçka po shkonte sipas planit, deputeti dhe dikur ushtruesi i detyrës së kryetarit, Enver Hoxhaj, doli me kundërshtime.
Ai bëri thirrje që Konventa të shtyhet për 23 nëntor, duke thënë se nevojitet më shumë kohë për një garë më cilësore, dhe se një parti demokratike duhet të ketë në garë më shumë sesa thjesht një kandidat të vetëm.
REL-i e ka kontaktuar edhe Hoxhajn, mirëpo ai nuk ka treguar nëse do të jetë pjesë e garës.
Artan Muhaxhiri, sociolog dhe analist politik, thotë për REL-in se, ndonëse dorëheqja e Krasniqit ishte e befasishme, “ishte akt i duhur”.
Ai beson se zgjedhjet për kryetar mund të shndërrohen në një “përshpejtues të ndryshimeve në PDK, nëse edhe kushtet e tjera të domosdoshme plotësohen”.
Sipas tij, për PDK-në do të jetë e rëndësishme se si zhvillohet gara, pasi nëse procesi do të jetë vetëm formalitet, atëherë mund të ketë pasoja.
Kandidatura eventuale e Hoxhajt
Enver Hoxhaj nuk kishte garuar as në Konventën e vitit 2021 kur u zgjodh Memli Krasniqi për herë të parë kryetar, pavarësisht se për më shumë se 200 ditë e kishte udhëhequr partinë si ushtrues i detyrës.
Këtë vit, ai ka qenë i zëshëm në qëndrimet e tij që dallonin me ato të vetë partisë, pasi në verë ai kishte thënë se do ta mbështeste një koalicion me LVV-në e Kurtit, dhe kishte nënvizuar se mund të kishte rol kur kishte folur për zgjedhjet e mundshme brenda partisë.
A mund të sjellë ndryshime Hamza?
Muhaxhiri vlerëson se PDK-ja u tregua e “sinqertë” duke i shpallur zgjedhjet për kryetar për t’u ballafaquar me gjendjen e tanishme, dhe për të kërkuar mundësi për t’u kthyer në pushtet.
Nën udhëheqjen e Krasniqit – nga viti 2021 – PDK-ja doli e dyta në zgjedhje parlamentare në shkurt, duke ngelur goxha mbrapa LVV-së.
Ajo i fitoi gjashtë komuna në zgjedhjet lokale, duke pësuar një rënie të vogël në nivel lokal, në krahasim me zgjedhjet paraprake.Muhaxhiri nënvizon se PDK-ja nuk ka pasur strategji, plan apo ide sesi ta sfidojë Kurtin dhe LVV-në në këto pjesë vjetët e fundit.
“Siç u pa në zgjedhjet lokale tani, Kurti vetëm sa e zgjeroi pushtetin me komuna të reja. Ky është rrezik i madh për PDK-në, sepse, nëse zoti Kurti i fiton sërish zgjedhjet parlamentare me rreth 40 për qind, kjo do të jetë shenjë se absolutisht nuk kanë mundur t’ia zvogëlojnë pushtetin as për një milimetër, dhe kjo është e pafalshme nëse zgjat gjashtë a shtatë vjet”, sipas Muhaxhirit.
Kosova mund të shkojë në zgjedhje parlamentare hiç më larg se në dhjetor, duke qenë se asnjëra parti nuk e ka shumicën e nevojshme, e as vullnetin për bashkëqeverisje, pas zgjedhjeve të shkurtit.Dhe, nëse Hamza zgjidhet kryetar i PDK-së, gjë që duket e pashmangshme, duke e parë se ai e mori edhe mbështetjen publike të Krasniqit në ditën e dorëheqjes së tij, atëherë ai e ka vetëm një detyrë, sipas Muhaxhirit.
“Të kërkojë me zell brenda strukturave të PDK-së në gjithë Kosovën njerëz të ri, personalitete të reja, profesionistë të rinj dhe t’i sjellë në fokus si përfaqësues të një gjenerate të re të PDK-së, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të krijohet një lloj shpresë se PDK-ja mund të reformohet dhe ta rrisë pushtetin e saj”.PDK-ja, e formuar në fund të vitit 1999, ka bashkëqeverisur në vitet 2001-2004, ndërsa në vitin 2007, ajo për herë të parë doli partia më e votuar në Kosovë.
Ajo qeverisi për shtatë vjet me Hashim Thaçi si kryeministër të Kosovës.
Për 17 vjet me radhë, PDK-në e drejtoi Thaçi, i cili shërbeu edhe si president edhe si kryeministër i vendit në disa faza.
Më 2016, kur Thaçi u bë president, partinë e udhëhoqi Kadri Veseli deri kur u nis në Hagë, më 2020.



Të tjera
Koha e mbështetjes për Kosovën
Pilotët e Forcës Ajrore shqiptare dhe të FSK-së me trajnim të përbashkët
10 parfumet për meshkuj të cilat “çmendin” femrat