Programi festiv në Serbi degjeneron në shovinizëm ndaj shqiptarëve

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, bashkë me ministrin e Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, e përkrah tyre edhe i dënuari për krime lufte Vojislav Sheshel, si dhe ekstremisti prorus Misha Vaçiq e të dënuar të tjerë, në një program festiv në një medie serbe, nuk u kursyen nga këngë shoviniste e gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve. Veç gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve, aty u interpretuan edhe këngë shoviniste ndaj boshnjakëve dhe komuniteteve të tjera.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u shfaq në televizionin Informer në një intervistë pothuajse treorëshe, e paraqitur si hyrje e programit festiv, të cilën opozita e cilëson si shembull të “reality-politikës” dhe diplomacisë së improvizuar, përmbajtja që pasoi në këtë media pranë pushtetit u shndërrua në një demonstrim të hapur të nacionalizmit ekstrem, shovinizmit dhe gjuhës së urrejtjes.

Programi i ashtuquajtur “festiv” i Krishtlindjeve, i transmetuar pa asnjë distancë kritike në televizionin Informer, i afërt me presidentin Vuçiq, u zhvillua në një atmosferë që fyeu drejtpërdrejt ndjenjat e popujve të tjerë dhe qytetarëve që nuk i përkasin besimit ortodoks, ndërsa në studio ishin të pranishëm zyrtarë të lartë të Qeverisë së Serbisë.

Gjatë programit disaorësh, u transmetuan këngë shoviniste të mbushura me gjuhë urrejtjeje dhe mesazhe përçarëse. Në tavolinën e studios, përkrah të dënuarit për krime lufte Vojislav Sheshel, këngëtarit Dragan Aahanin, i dënuar me 11 vjet burg për vrasje, si dhe ekstremistit proruse të djathtë Misha Vaciq, u ulën edhe përfaqësuesit më të lartë të pushtetit ekzekutiv. Mes tyre ishin nënkryetari i Qeverisë Ivica Daçiq, disa ministra, ndër to edhe ministri i Drejtësisë, si dhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë Ana Brnabiq.

Ndryshe, kriminelët e luftës dhe ekstremistët të ndryshëm në Serbi shpesh marrin pjesë në programe televizive të mediave proqeveritare, pa asnjë pasojë politike dhe ligjore./ rtk