Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se vizita e tij e parë zyrtare jashtë vendit në këtë detyrë ishte në Mynih të Gjermanisë, ku mori pjesë në forumin botëror të sigurisë, Konferenca e Sigurisë së Mynihut, një nga forumet më të rëndësishme globale të sigurisë, përcjell KosovaPost.
Sipas Konjufcës, pjesëmarrja e delegacionit të Kosova në këtë forum, së bashku me Kryeministrin Albin Kurti dhe Ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci, ishte një mundësi e shkëlqyer për shkëmbim pikëpamjesh me aleatët mbi sfidat rajonale dhe kontinentale të sigurisë.
“Vizitën e parë jashtë Kosovës si Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës e kisha në Mynih të Gjermanisë, si pjesëmarrës në forumin më të rëndësishëm botëror të sigurisë, siç është Konferenca e Sigurisë së Mynihut. Në rendin botëror që po riformësohet, pjesëmarrja jonë në MSC, si qeveri e Kosovës, ishte mundësi e shkëlqyer për të shkëmbyer pikëpamje mbi nevojat për bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë me aleatët”, ka theksuar Konjufca.
Ai ka shtuar se forcimi i Kosovës si pjesë e Aleancës Perëndimore mbetet prioritet strategjik, duke vlerësuar se bashkëpunimi më i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë është thelbësor për përballimin e sfidave të sigurisë në një kohë të riformësimit gjeopolitik.
“Përforcimi i Kosovës si pjesë e Aleancës Perëndimore, sikurse edhe i çdo aleati veç e veç, do ta bëjë aleancën veri-atlantike më të fuqishme përballë sfidave të këtij shekulli”, ka deklaruar ai.



Të tjera
Si të parandaloni djersitjen e tepërt gjatë verës
Çitaku: Liria e fjalës s’është privilegj, ky popull s’pranon diktat
Largimi nga puna i gazetares së RTK-së, Mehmetaj: Ky pushtet i fëlliqur ka nisur t’i nxjerr dhëmbët e ndytë pa u fshehur tashmë