Pas gati 3 vitesh Endrit Nikaj e merr dënimin për vrasjen e argjentinases – si kishte ndodhur krimi i llahtarshëm në Fushë Kosovë

Pas gati 3 vitesh Endrit Nikaj e merr dënimin për vrasjen e argjentinases – si kishte ndodhur krimi i llahtarshëm në Fushë Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar për shpalljen e aktgjykimit dënues prej 18 vitesh ndaj të akuzuarit Endrit Nika për vrasjen e shtetases argjentinase në një hotel në Fushë Kosovë.

“I akuzuari E.N. është shpallur fajtor dhe i është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 18 ( tetëmbëdhjetë) vitesh. Në dënimin e shqiptuar me burgim, të akuzuarit i llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit, duke e llogaritur nga data 01.08.2023 e tutje, ndërsa me aktvendim të veçantë i vazhdohet masa e paraburgimit, deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar në këtë aktgjykim”, thuhet në njoftimin e gjykates.

Gjykata ka përshkruar edhe krimin që ndodhi në gusht të 2023-ës.

“Me datë 01.08.2023 rreth orës 01:59 minuta, në rrugën “ Nënë Terezë” në Fushë Kosovë, në “Hotel Sonoma”, në katin e VI, i akuzuari E.N. pas një mosmarrëveshje paraprake me të dashurën e tij – të dëmtuarën e tani të ndjerën M.K.U. shtetase argjentinase, kishte vazhduar përleshjen dhe nga goditjet ndaj të dëmtuarës e kishte nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i VI (gjashtë), me ç’rast e dëmtuara – tani e ndjera M.K.U., kishte pësuar lëndime të rënda trupore, edhe përkundër trajtimit mjekësor e njëjta kishte ndërruar jetë në QKUK”.

I akuzuari detyrohet që në emër të shpenzimeve të procedurës penale – paushallit gjyqësor, të e paguajë shumën 1000,00 (njëmijë) euro dhe në emër të taksës për Fondin e Kompensimin e Viktimave të Krimit, shumën prej 50,00 (pesëdhjetë) euro, e gjitha këto në afatin prej 15 ditëve, nga dita kur aktgjykimi të merr formën e prerë.

E dëmtuara M.M.D., për realizimin për realizimin e kërkesës pasurore – juridike, udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.