Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, u kanë bërë thirrje të rinjve që të aplikojnë për pranimin e kadetëve të rinj në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Ata kanë njoftuar se nga sot, 1 qershor, është hapur konkursi për pranimin e 44 kadetëve të rinj, të cilëve do t’u jepet mundësia të ndjekin shkollimin ushtarak në Qendrën për Studime Universitare në Kosovë, si dhe në akademitë ushtarake në Shqipëri, Turqi, Kroaci dhe Maqedoninë e Veriut.
Në deklaratën e Kurtit në Facebook, theksohet se vetëm brenda dy muajve janë hapur dy konkurse për t’u bërë pjesë e FSK-së, gjë që, siç thotë ai, tregon interesimin dhe besimin e të rinjve për shërbim në ushtrinë e Kosovës.
“Në vetëm dy muaj, janë hapur dy konkurse për t’u bërë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, tregues ky i qartë i besimit, motivimit dhe përkushtimit të të rinjve tanë për t’i shërbyer vendit tonë. Pothuajse 2 mijë të rinj i janë nënshtruar procedurave të përzgjedhjes për pranimin e 320 rekrutëve të rinj në FSK. Bëhu edhe ti ushtar i Kosovës duke aplikuar në vegëzen në tekst. Për siguri në Republikë dhe Republikë të sigurt. Aplikimi është i hapur deri më 15 qershor 2026”. shkruan Kurti.
Ai ka bërë të ditur se gjatë mandatit të parë të plotë janë rekrutuar mbi 2,700 ushtarë të rinj, duke theksuar se numri i pjesëtarëve të FSK-së është rritur për më shumë se dyfish. Gjithashtu ai thotë se investimi në armatim do të vazhdojë, duke bërë një krahasim “nga 2018-2020 më pak se 4 milionë euro, ndërkaq nga 2021-2025 rreth 430 milionë euro”. https://rekrutimi.fsk-rks.org/Apply



Të tjera
Selin Bollati ndan një moment të veçantë me Gimbon nga pushimet
Bien çmimet e derivateve, lirohen nafta dhe benzina
Barcelona bën ofertën e parë për Alvarez