Biseda e Mimoza Kusari Lilës me Milan Radojçiqin, Tomë Gashi “zbulon” si qëndron e vërteta

Të hënën në medie është publikuar një bisedë e shkurtër mes shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila dhe kriminelit serb Milan Radoiçiq.

Biseda më pak se një minutë ishte ndërmjetësuar nga Sllavko Simiq i Listës Serbe.

“Kolege, kemi ardhur te Milani, dëgjohu me të”, i thotë Simiq deputetes së VV-së.

“Në rregull”, ia kthen Kusari-Lila.

“Alo, (vendase) zemlajke, a po nihemi?”, e pyet Milan Radoiçiqi.

“Po, po të dëgjoj”, ia kthen Kusari-Lila.

Radoiçiq: “Qysh je? Qysh po kalon?

Kusari-Lila: “Qe, qe në Kuvend i kam pasur disa takime. Tash u lirova, po shkoj në shtëpi”.

Kjo bisedë sipas raportimeve ishte zhvilluar në qershor të vitit 2022, në kohën kur Milan Radoiçiqi ishte përfshirë në Listën e Zezë.

Mimoza Kusari-Lila e kishte konfirmuar bisedën me Radoiçiqin, por pati deklaruar se biseda është në gjuhën shqipe. Sipas versionit të Kusari-Lilës, biseda kishte ndodhur pasi Simiq ia pati ‘lëshuar interfonin pa paralajmërim’.

“…Në të cilin gjatë bisedës Sllavko, ne…e thërret, e lëshon në speaker phone. Ai flet shqip”.

Për këtë bisedë është pyetur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se është “situatë e montuar”.

“Po e kuptoj që po përpiqeni të dramatizoni me çdo kusht disa sekonda prej një bisede që nuk e di se si e ku është marrë e si u pre e nga kush u organizua, por, edhe njëherë unë jam kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Mimoza Kusari-Lila nuk është anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje; edhe po të ishte anëtare për këso gjëra ka komision disiplinor, sepse VV-ja s’e ka kryetarin diktator që merr ashtu vendime. Unë vetë nuk i kam dëgjuar; mirëpo qytetarët e Kosovës e dinë kush ka bashkëpunuar me Radojçiqin, dhe e kanë shumë të qartë se pse Radojçiqi ik tash e dikur ishte në kryeministri. Për këtë zëdhënësi i VV-së e ka dhënë përgjigjen e saktë”, ka thënë Kurti para gazetarëve.

Biseda e publikuar në media ka sjellë reagimin e opozitës, të cilët disa kërkonin dorëheqjen e qeverisë, e disa refuzonin koalicion të mundshëm me partinë në pushtet.

“Milani, Igori, Albini, Mimoza e gjithë Qeveria Kurti le të komunikojnë për ta sjellë Radojcicin para drejtësisë por jo mbi interesat e Republikës së Kosovës sepse populli nuk do ta fal këtë. Keni mashtruar e ndërtuar tradhtarë fiktiv për të ardhur në pushtet dhe për ta dëshmuar që jeni vet “Esat Pasha”. Dorëheqje. Jeni turpi i këtij vendi!”, ka shkruar deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

Kurse, deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati ka shkruar: Alo, zemlaka! Për ata që po pyesin për koalicione. Me çiftin e Mimozës koalicion, a ? Unë kurrë jo! NEIN !.

Në anën tjetër, avokati Tomë Gashi ka mohuar një bisedë të mundshme mes shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari- Lila dhe terroristit Milan Radojçiq.

“Nuk ka pasur asnjë bisedë mes Mimoza Kusari- Lilës dhe Milan Radojçiqit. Bisedë s’ka pasur as para dhe as pas shpalljes së tij terrorist”, ka deklaruar Gashi për “Bota sot”.

Tutje, sipas tij, kjo është “arma e dobët” e opozitës kundrejt pushtetit, pasi dështoi ta çoi vendin në zgjedhje.

“Kjo bisedë e publikuar në këtë kohë mund të konsiderohet vetëm “armë e dobët” e opozitës. Opozita ka dështuar, ata kanë dështuar si kur e kanë udhëhequr vendin, ashtu edhe kur janë në opozitë. Ata nuk ishin në gjendje të bëhen bashkë dhe ta çonin vendin në zgjedhje të parakohshme, tani shfrytëzojnë këto mënyra”, ka shtuar avokati.

Ndryshe, Milan Radojçiq është edhe organizatori i sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit dhe ndaj tij ende nuk është ndërmarrë ndonjë masë.