“Dardanët” vazhdojnë përgatitjet për ndeshjen ndaj Andorrës – Ekonomia Online

“Dardanët” vazhdojnë përgatitjet për ndeshjen ndaj Andorrës

Kombëtarja e Kosovës po vazhdon me intensitet përgatitjet për ndeshjen miqësore kundër Andorrës, e cila do të zhvillohet më 7 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Dardanët kanë zhvilluar sot seancën e radhës stërvitore, ku fokusi i stafit teknik ka qenë te aspekti taktik dhe ritmi i lojës.

Futbollistët janë paraqitur me përkushtim maksimal, derisa atmosfera në kampin e Kombëtares vazhdon të jetë shumë pozitive.

Futbollisti Ron Raçi tha se duhet ta lënë prapa humbjen ndaj Çekisë tri ditë më herët dhe të fokusohen në ndeshjen e radhës.

Përzgjedhësi dhe stafi teknik po shfrytëzojnë çdo seancë për të përgatitur skuadrën sa më mirë për sfidën ndaj Andorrës, e cila do të shërbejë edhe si test i rëndësishëm para ndeshjeve të ardhshme.

Megjithatë, gjatë stërvitjes së sotme ka pasur edhe një moment shqetësues. Portieri Arijanet Muriç ka ndier shqetësime në muskujt e kërdhokullës së djathtë, duke lënë përkohësisht stërvitjen nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor.

Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se Muriç do t’u nënshtrohet ekzaminimeve të nevojshme mjekësore për të përcaktuar shkallën e problemit dhe nëse ai do të jetë i gatshëm për ndeshjen e së shtunës.

Gjithashtu, mesfushori Veldin Hodza theksoi se kanë mësuar shumë nga humbja kundër Çekisë dhe ndaj Andorrës do të përgatiten me fokus maksimal.

“Mësuam shumë nga ndeshja kundër Çekisë. Patëm disa momente shumë të mira, por edhe momente të këqija. Kemi identifikuar aspektet ku mund të bëjmë më mirë. Në ndeshjen e ardhshme do të bëjmë gjithçka që të paraqitemi më mirë dhe të fitojmë. Andorra mund të duket kundërshtar më I lehtë sesa Çekia, por nuk është ashtu. E respektojmë çdo kundërshtar dhe do të përgatitemi me fokus dhe përkushtim maksimal”.

Kosova do ta presë Andorrën më 7 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri”, në një përballje ku synimi mbetet vazhdimi i paraqitjeve pozitive dhe ruajtja e formës së mirë të ekipit kombëtar.