Haliti komenton pjesëmarrjen e kryeministrit Kurti në Konventën Demokratike në SHBA

Deputeti opozitar Xhavit Haliti, i cili njëherit është edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, ka komentuar pjesëmarrjen e Kryeministrit Albin Kurti në Konventën Kombëtare Demokratike në SHBA, duke e cilësuar si një veprim që mund të ketë rëndësi, por që ka nevojë për më shumë informacion për të vlerësuar ndikimin e tij.

Sa i përket ndikimit të mundshëm të pjesëmarrjes së Kurtit në politikën amerikane, Haliti theksoi se kjo nuk do të ketë efekt të drejtpërdrejtë, pavarësisht nga fituesi i zgjedhjeve presidenciale.

Sipas tij, politika amerikane funksionon në përputhje me interesat dhe objektivat strategjike të SHBA-së dhe nuk ndikohet nga pjesëmarrja e liderëve të huaj në ngjarje partiake.

Haliti përfundoi se është e rëndësishme që Kosova të fokusohet në ndërtimin e marrëdhënieve strategjike dhe të mos e mbështesë veten në ndihmën e ndonjë partie apo individi të caktuar në SHBA.

“Ata nuk bëjnë politike të mahallës, por bëjnë politikë strategjike, kanë interesat e tyre dhe kane objektivat e tyre, ata nuk funksionojnë sipas lagjeve “, tha Haliti për FrontOnline.