Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të Behgjet Hetemit, ish-ushtarit të UÇK-së.
“Sot pasdite në varrezat e Bistricës ia dhamë lamtumirën e fundit Behgjet Hetemit të cilin na e mori sëmundja e kancerit në mushkëri”, ka shkruar Kurti.
“Jemi të pikëlluar që na la por me fat që e njohëm, e krenar me veprat dhe jetën e tij”.
Postimi i plotë:
Pas dy muajve do të bëhej 60 vjeç. Katër vjet e gjysmë ishte i burgosur në Zajeçar të Serbisë në vitet e ‘80-ta. Në fshatin e tij të lindjes në Bistricë të Leposaviqit të cilin nuk e braktisi asnjëherë, bashkë me babain dhe vëllaun e tij, në vitin 1992, policia serbe i rrahu për vdekje, ndërsa gjatë luftës çlirimtare u inkuadrua në Zonën Operative të Shalës në UÇK. Vëllau tjetër Bashkimi dhe motra e tij dëshmore Fatimja, u mobilizuan në Likoc në Zonën Operative të Drenicës.
Sot pasdite në varrezat e Bistricës ia dhamë lamtumirën e fundit Behgjet Hetemit të cilin na e mori sëmundja e kancerit në mushkëri. Ishim bashkë me vëllaun e tij, Kryetarin e Komunës, Lulzim Hetemin, ministrin Faton Peci, deputetët Armend Muja, Arjeta Fejza e Salih Zyba dhe shumë kolegë e aktivistë, bashkëluftëtarë e bashkëfshatarë. Fjalimin te varri e mbajti vajza e tij, Kosovarja, ushtare e FSK-së.
Jemi të pikëlluar që na la por me fat që e njohëm, e krenar me veprat dhe jetën e tij.
Behgjet Hetemin do ta kujtojmë si një ndër kontribuuesit më të rëndësishëm në qëndresën e shqiptarëve në veri të Republikës. Prej vitesh ishte kontakt shumë i çmuar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! e nga viti 2021 një mbështetës i politikave të Qeverisë në kthimin dhe rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve në komunat veriore, e veçanërisht në Bistricë.
Të tjera
Komshiq pret Kurtin në Presidencë: Nuk do ta pyesim Dodikun, as këdo tjetër me kë të takohemi
“Edi Rama është urdhërdhënësi i këtij ndalimi” – Pse u ndalua kënga “Mora Fjalë” në stadiumet shqiptare?
Të arrestuarit nga Gjykata Speciale dërgohen në Hagë