Kosova mund ta luajë një miqësore me Poloninë në qershor – Ekonomia Online

Kosova mund ta luajë një miqësore me Poloninë në qershor

Kombëtarja e Kosovës mund ta zhvillojë një ndeshje miqësore me Poloninë në muajin qershor.

Lajmin e ka bërë të ditur mediumi polak, “Fakt”, përcjell “Gazeta Express”.

Polakët në qershor do t’i luajnë dy miqësore. Ata e kanë aranzhuar miqësoren e parë me Nigerinë, ndërsa kundërshtari i tyre i dytë mund të jetë pikërisht Kosova.

“Kundërshtari i dytë i mundshëm i Polonisë mund të jetë Kosova. Federata polake po zhvillon bisedime për këtë çështje. Po shqyrtohet edhe vendi i zhvillimit të ndeshjes — mund të mos jetë Varshava, por një qytet tjetër në Poloni si Gdańsk, Wrocław, Poznań ose Chorzów. Nëse Polonia dhe Kosova përballen në fushën e blertë, do të ishte një moment historik, pasi do të ishte ndeshja e parë mes këtyre dy përfaqësueseve”, raporton mediumi polak.

Në mars, Kosova — ashtu si Polonia — luftoi për kualifikim në Botëror përmes “play-off”-it.

Në gjysmëfinale Dardanët e mposhtën Sllovakinë, por në finalen vendimtare humbën nga Turqia.

Mediat polake i kanë përmendur disa yje të Kosovës, duke e shprehur respektin për Kombëtaren Dardane.

Ndërkohë, as Polonia s’ia doli të kualifikohej në Botëror pasi u mposht nga Suedia në finale të “play-off”-it, derisa paraprakisht në gjysmëfinale e mposhti Shqipërinë.