Gjykata 1 780x439

​Kosova, nikoqire e konferencës së Gjykatave Supreme të Evropës – theksohet rëndësia e pavarësisë së gjyqësorit

Gjykata Supreme e Kosovës sot ka mirëpritur konferencën e 14-të kryetarëve të Gjykatave Supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore, e cila u organizua së bashku me Institutin CEEELI dhe me mbështetjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës si dhe USAD-it.

Në fjalën e tij, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi tha se kjo konferencë është mundësi e mirë për shkëmbim të ideve dhe bashkëpunim në mes niveleve më të larta gjyqësore mes atyre vendore dhe ndërkombëtare.

“Kjo konferencë po organizohet për herë të parë në Kosovë, me ç’rast Gjykata Supreme e Kosovës ka nderin të jetë nikoqire e konferencës, e cila organizohet së bashku me Institutin CEELI dhe me mbështetjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, USAID-it. Kjo konferencë është një mundësi unike për diskutim, bashkëpunim dhe shkëmbim idesh mes niveleve më të larta gjyqësor vendor dhe ndërkombëtar, ku mund të reflektojmë mbi sukseset, dështimeve të sistemeve tona të drejtësisë, të ndajmë praktikat tona më të mira dhe të përcaktojmë një rrugë drejt një të ardhme më të mirë ku vazhdimisht forcohet dhe mbrohet rendi dhe ligji. Ku respektohen të drejtat e njeriut dhe dinjiteti i çdo individi”, u shpreh Rexhepi.

Ndërkaq, duke folur për rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit, Rexhepi tha një gjë e tillë është bazamenti i një demokracie funksionale, raporton KP.

Ai bëri thirrje që të punohet për ta mbrojtur këtë pavarësi, pasi sipas tij, kjo nuk duhet të merret si e mirëqenë.

Më tej, Fejzullahu shtoi ekzistojnë disa raste të ndërhyrjes pushtetit, siç janë ulja e pagave për gjyqtarët e deklarimet e qeveritarëve mbi çështjet që janë në shqyrtim nëpër gjykata, për të cilat tha se paraqesin presion të papranueshëm në raport me punën e gjyqësorit.

“Pavarësia e gjyqësorit është pa dyshim gur themeli i një demokracie funksionale, është baza dhe çatia e të gjithë shtetit të së drejtës, pa të cilin parim gjyqësori nuk do ta kishte asnjë kuptim. Ky parim garanton që gjyqësori të mbetet i lirë nga çfarë do ndikimi, mirëpo garancitë që kushtetuta dhe legjislacioni i jep gjyqësorit nuk duhet marrë gjithmonë si të mirëqena. Ne duhet të punojmë pa reshtur për ta forcuar e të qëndrojmë vigjilent për ta mbrojtur këtë pavarësi nga kushdo qoftë.

Është evidente që pushtetet tjera jo gjithherë pajtohen me gjyqësorin e pavarur dhe jo pak raste kemi tentativa për të ndërhyrë, qoftë me nisma për ndryshime kushtetuese ligjore, me ulje të pagave për gjyqtarët, qoftë me deklarime publike të qeveritarëve e të tjerëve për çështje në shqyrtim në Gjykata, që përfaqëson cenim të rëndë të pavarësisë së gjyqësorit dhe paraqet presion të papranueshëm në raport me punën e gjyqtarit. Pa këtë pavarësi vet themelet e shoqërive tona demokratike janë të paqëndrueshme dhe rrezikojnë të ardhmen e vetë shoqërisë”, deklaroi kryetari i Gjykatës Supreme.

Edhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka Nimani tha se pavarësia e gjyqësorit është baza e sundimit të ligjit.

“Më lejoni të vë theks në dy pika parësore, rëndësinë e dialogut gjyqësor dhe nevojën që përtej shkëmbimit të përvojave ky dialog të përçoj një mesazh esencial, ata të rëndësisë së pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Në kontekst të dialogut gjyqësor do të vë theks në fjalët e kryetarit Rexhepi përgjatë ceremonisë tuaj në mbrëmjen e djeshme dhe të cilët theksuan rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe mësimeve të mësuara dhe përderisa kontekstet tona kulturore, historike dhe politike kanë nuancat e tyre të veçanta, kushdo dhe kudo në botën demokratike që vesh tokë gjyqësore priret nga parimet dhe vlerat e njëjta dhe të përbashkëta përfshirë përkushtimin e palëkundur për të avancuar dialogun gjyqësor në mbështetje të pavarësisë së pushtetit gjyqësor”, tha ajo.

Themeluesi i Institutit CEELI, Homer E. Moyer theksoi se forcimi i sundimit të ligjit është i rëndësishëm për vendin.

Duke lavdëruar arritjet e vendeve të rajonit në fushën e sundimit të ligjit, Moyer tha se para 35 viteve rajoni i Ballkanit ka qenë nën qeveritë autoritare, por që tani 2/3 e shteteve tani rangohen në pjesën e epërme të indeksit mbarë global të sundimit të ligjit.

“Instituti CEELI zhvillon programe të ndryshme për gjyqtarët dhe gjykatat të niveleve të ndryshme dhe në shumë aspekte kjo është më e rëndësishme që kryetarët e Gjykatave Supreme të kenë biseda private për sundimin e ligjit, për gjykatat e tyre dhe forcimi i sundimit të ligjit është po ashtu i rëndësishëm dhe po aq me një grup unik të rëndësishëm të juristëve. Më lejoni ta përmbyll duke ju lavdëruar të gjithë juve, para 35 vitesh çdo shtet në këtë rajon ka qenë nën qeveritë autoritare në të cilat sundimi i ligjit nuk është respektuar, ndërsa sot 2/3 e shteteve tuaja rangohen në pjesën e epërme të indeksit mbarë global të sundimit të ligjit që prodhohet çdo vit nga projekti i drejtësisë në botë”, theksoi ai

E gjyqtari i lartë i qarkut, John Wolker tha se në diskutimin e sotëm bazuar në pesë tema të zgjedhura, pret që pjesëmarrësit të diskutojnë për sfidat e sistemit gjyqësor në vend.