Screenshot 1 30 780x439

Mira Murati për ndikimin e Inteligjencës Artificiale: Disa punë ‘ndoshta do të zhduken’, por ndoshta sepse ‘nuk duhet të ishin aty’

CTO e OpenAl, Mira Murati, ka zhvilluar një bisedë mbi të ardhmen e Inteligjencës Artificiale (Al) dhe ndikimin e saj të mundshëm në shoqëri.

Gjatë ngjarjes në ndërtesën të sapondërtuar inxhinierike të Dartmouth, Murati, e diplomuar në vitin 2012 në shkollën inxhinierike Thayer, preku tema edhe nga rrugëtimi i saj në OpenAl.

Megjithatë, një koment i veçantë ngjalli debat mes të pranishmëve dhe më pas përdoruesve të rrjeteve sociale.

Kur u pyet për potencialin e zhvendosjes së punës së drejtuar nga Al, Murati tha: “Disa punë ndoshta do të largohen, por ndoshta sepse ato nuk duhet të ishin aty”.

Vërejtja e Muratit, megjithëse e rastësishme, preku ndjeshëm një epokë të përparimit të shpejtë teknologjik, shkruajnë mediat e huaja.

Ndërsa pranonte potencialin për humbjen e vendeve të punës, deklarata e saj dukej se theksonte se disa role mund të jenë në thelb të panevojshme, duke nënkuptuar se eliminimi i tyre mund të jetë zhvillim pozitiv.

Megjithë sinqeritetin e saj për largimin e mundshëm të vendeve të punës, Murati theksoi edhe natyrën bashkëpunuese të mjeteve me Al si ChatGPT dhe DALL-E.

Ajo tha se këto teknologji, në vend që ta zëvendësojnë krijimtarinë njerëzore, shërbejnë në fakt për ta përmirësuar dhe zgjeruar atë, duke ofruar rrugë të reja për zgjidhjen e problemeve.

“Është një mjet apo jo? Sigurisht që mund ta bëjë atë si një mjet, dhe unë pres që ne do të bashkëpunojmë me të dhe kjo do të bëjë që krijimtaria jonë të zgjerohet”, tha Murati.

Gjithashtu, ajo theksoi potencialin e Al për të demokratizuar krijimtarinë, duke e bërë atë më të qasshme për një gamë të gjerë individësh.

Ndryshe, diskutimi në Dartmouth u thellua edhe më shumë. Murati e pranoi rëndësinë e menaxhimit të kujdesshëm të sistemeve me Al, veçanërisht ndërsa aftësitë e tyre përparojnë.

CTO e OpenAl theksoi edhe rolin vendimtar të kompanive si OpenAl në drejtimin dhe zbutjen e rreziqeve të mundshme që lidhen me Al.

“Ne po mendojmë shumë për këtë”, shpjegoi ajo.

“Është padyshim e vërtetë që do të kemi sisteme me AI që do të kenë aftësi të përgjithshme, do të lidhen me internetin, do të bisedojnë me njëri-tjetrin, agjentë që lidhen me njëri-tjetrin dhe bëjnë detyra së bashku, ose agjentë që punojnë me njerëzit dhe bashkëpunojnë pa probleme”, shtoi Murati.