Në shënim të 2 Korrikut, Ditës së Deklaratës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në komunën e Klinës u mbajt ceremonia solemne e zbulimit të shtatores së ish- presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Ceremonia u organizua nën përkujdesjen e kryetarit të Klinës, Zenun Elezaj, dhe mblodhi përfaqësues institucionalë, qytetarë, familjarë të figurave të luftës dhe të lirisë, si dhe mysafirë të shumtë.
Në fjalimet e rastit u theksua se përurimi i shtatores së ish-presidentit Rugova në vigjilje të 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bart një simbolikë të veçantë, duke rikujtuar miqësinë e Kosovës me SHBA-në dhe kontributin e presidentit Rugova në rrugëtimin e vendit drejt lirisë dhe pavarësisë.
Pjesëmarrësit vlerësuan se ish-presidenti Ibrahim Rugova mbetet një nga figurat më të rëndësishme të historisë moderne të Kosovës, ndërsa u shprehën se brezat që kontribuuan për lirinë dhe shtetësinë e vendit do të nderohen përjetë.
Gjatë ceremonisë u bënë homazhe dhe u shprehën nderime për deputetët e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, për ish-presidentin Ibrahim Rugova, dëshmorët, martirët e kombit dhe të gjitha kategoritë që kontribuuan në rrugën e Kosovës drejt lirisë.
Zbulimi i shtatores së Rugovës në Klinë u cilësua si një akt i rëndësishëm i ruajtjes së kujtesës historike dhe i respektit institucional ndaj figurave që lanë gjurmë në historinë e shtetformimit të Kosovës.



Të tjera
SHSKUK-ja ndan mbi 2 milionë euro për furnizim me barnave
Momenti i përleshjes në Podujevë, qytetari shihet me armë në dorë, ndërhyn policia (18+)
Popullsia e Kosovës po plaket, mosha mesatare pritet të arrijë në 49 vjeç deri më 2060