Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj R.M, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale krim i luftës kundër popullsisë civile.
Sipas aktakuzës, më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, i pandehuri R.M., në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë.
Po ashtu, R.M. akuzohet për përfshirje në shkatërrimin e pronës, dëbimin masiv të popullsisë civile dhe plaçkitjen e pasurisë së rreth 1.000 qytetarëve shqiptarë, të cilët, sipas Prokurorisë, nuk kanë qenë të përfshirë në veprime luftarake.
I pandehuri aktualisht ndodhet nën masën e paraburgimit deri në një vendim tjetër të gjykatës, ndërsa lënda është dërguar për shqyrtim dhe procedim në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në ndjekjen penale të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, me qëllim të sigurimit të drejtësisë për viktimat dhe vendosjes së përgjegjësisë penale për kryerësit, në përputhje me legjislacionin vendor dhe standardet ndërkombëtare.



Të tjera
Kurti viziton Kalanë e Prizrenit, njofton për investime afër 450 mijë euro
Përveç ushtrisë, Turqia forcon edhe bujqësinë dhe bletarinë në Kosovë
Majdanozi ndihmon në forcimin e kockave