Besnik Osmani ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Fushë Kosovë.
“Është e vërtetë që ka dhënë dorheqje z.Osmani. Arsyet janë rezultatet jo të mira zgjedhore në LDK, dhe nevoja për zgjedhje të përgjithshme në LDK!” – konfirmoi për Kallxo.com, asamblisti i LDK-së në Kuvendin e kësaj komune, Ali Topalli.
Osmani ka qenë kandidat i LDK-së për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës në zgjedhjet lokale të vitit 2025. Megjithatë, nuk arriti të fitojë. Garën për herë të parë e fitoi Valon Prebreza i LVV-së.
Për rezultatin zgjedhor, dorëheqjen e Abdixhikut e kanë kërkuar disa degë të partisë.
Por, pas kërkesave për dorëheqje, ai ka reaguar më 23.06.2026 në rrjete sociale.
Me fjalinë “Si nuk u ngopët kurrë”, ai ka nisur kundërpërgjigjen ndaj dy bashkëpartiakëve të tij (Gazmend Muhaxherit dhe Imri Ahmetit) që udhëheqin me degët e LDK-së në Pejë e Lipjan, e të cilët janë të parët që i kërkuan dorëheqjen.
Ai kishte kërkuar që këto kërkesa të i ishin bërë në sy.
“Pajtohem që rezultati në këto dy degë nuk është i kënaqshëm. Në komuna ku kemi qeverisje, të dalim të tretët tregon vetëm dozën e një sabotimi të thellë dhe të një projekti që nuk është i LDK-së.”- kishte shkruar Abdixhiku.
Madje, i pari i LDK-së ka thënë se ndonëse vet e ka trajtuar dorëheqjen më 31 janar, do të pranonte menjëherë dorëheqjet e Muhaxherit dhe Ahmetit si dorëheqje morale pas perfomancës së dobët të këtyre degëve në zgjedhjet qëndrore.
“E siguroj anëtarësinë e gjerë të LDK-së se nuk do të lejojmë, që projektet e ndarjeve të LDK-së nga sabotues të qëllimshëm të marrin formë. Ato dështuan më 31 janar; dështuan në zgjedhje, do te dështojnë edhe tash.”- kishte shkruar Abdixhiku.
Pas kërkesave të degëve të LDK-së në Lipjan, Pejë dhe Degës së Dytë në Prishtinë për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut, si pasojë e pakënaqësive me rezultatin zgjedhor, pati reaguar sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Ilir Ferati.
Sipas tij, kryetarët e lartcekur, në vend të një analize të ndershme mbi përgjegjësitë që i takojnë secilit nivel, po përpiqen ta zhvendosin të gjithë barrën e rezultatit vetëm te niveli qendror.
Ferati vlerëson se kjo çdo tentim për të ndërtuar narrativa vetë-justifikuese është i papranueshëm dhe i dëmshëm për partinë.
“Kush kërkon llogaridhënie nga të tjerët, duhet së pari të japë llogari për rezultatet në terrenin që ka menaxhuar vetë. Është e papranueshme që dikush të vetëshpallet i suksesshëm, ndërsa dështimet t’ua faturojë vetëm të tjerëve”- pati shkruar ai.
Sekretari i LDK-së thekson se ky subjekt politik ka nevojë për unitet të vërtetë, seriozitet dhe vetëkritikë reale dhe jo për deklarata që ushqejnë ndarje të brendshme apo shërbejnë si platformë për ambicie personale.
“Asnjë degë nuk e fiton e vetme LDK-në, dhe asnjë degë nuk e humb e vetme LDK-në. Por përgjegjësia nuk mund të përdoret si mburojë selektive. Ajo është e përbashkët dhe e pakapërcyeshme për të gjithë” – shkroi Ferati.
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Pejë ka kërkuar dorëheqjen e udhëheqjes së partisë pas rezultatit zgjedhor të 7 qershorit.
Ata thonë se ky vendim erdhi pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit 2026.
“Me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë në Pejë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë”- thuhet në njoftim.
Sipas LDK-së në Pejë, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja.
“Kryesia konsideron se ky duhet të jetë një imperativ i qartë i kësaj shtëpie të demokracisë, në funksion të ruajtjes së besimit të anëtarësisë dhe forcimit të standardeve demokratike brenda partisë”- theksohet në komunikatë.
Sikurse Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Pejë, edhe ajo në Lipjan ka kërkuar dorëheqjen e kreut të kësaj partie, Lumir Abdixhikut.
Ky vendim, sipas tyre erdhi pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit 2026.
Dorëheqjen e Abdixhikut e ka kërkuar edhe dega e Rahovecit.
Zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja e vetme sipas deputetes së zgjedhur nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.
Këto fjalë i ka shkruar Bajrami më 24.06.2026 pasi që dorëheqja iu kërkua kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku nga dega e Pejës, Lipjanit dhe degës së dytë të Prishtinës, pas rezultatit zgjedhor të kësaj partie.
Bajrami ka kërkuar sjellje me dinjitet, duke shtuar se pozitat nuk janë të përhershme.
Në janarin e këtij viti u mbajt votëbesimi ndaj kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku pasi që ai vet e kërkoi këtë pas rezultatit zgjedhor të dhjetorit 2025. E Bajrami ka shkruar se edhe në janar ka thënë se përgjegjësia politike nuk mund të jetë selektive dhe se pas një rezultati të rëndë zgjedhor duhet reflektim, përgjegjësi dhe zgjedhje të brendshme.
“Atëherë kam kërkuar dorëheqjen e kryetarit dhe kam dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares, sepse besoja dhe vazhdoj të besoj se standardet duhet të vlejnë për të gjithë. Parimi që kush humb merr përgjegjësinë dhe lëshon rrugë duhet të zbatohet pa përjashtim.”- ka shkruar Bajrami.
Ajo ka përmendur edhe rezultatin e votëbesimit, duke thënë se rreth 45% e delegatëve u deklaruan në favor të dorëheqjes së Abdixhikut. Ky, sipas saj, është treguar se partia kishte nevojë për reflektim të thellë dhe për ndryshime të domosdoshme.
Megjithatë, Bajrami konsideron se kryetari i partisë vendosi të vazhdojë e madje edhe me kompetenca të zgjeruara nga po ai Kuvend
Në zgjedhjet e fundit, të mbajtura më 07.06.2026 LDK ka dalë partia e tretë në vend me 16.69% apo 18 deputetë, pas LVV-së që fitoi 53 deputetë dhe PDK-së me 22 sosh.



Të tjera
Yamal: Nuk pendohem për komentet para El Clasicos
SHSKUK-ja ndan mbi 2 milionë euro për furnizim me barnave
Momenti i përleshjes në Podujevë, qytetari shihet me armë në dorë, ndërhyn policia (18+)