Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka mbajtur mbledhjen e rregullt të Bordit më 28 prill 2026 në Prishtinë, ku janë marrë disa vendime me rëndësi për funksionimin e klubeve dhe zhvillimin e basketbollit në vend.
Në njoftimin zyrtar, Bordi ka riafirmuar domosdoshmërinë e zbatimit strikt të Propozicioneve të Garave, me theks të veçantë në organizimin e ndeshjeve, sigurinë në palestra dhe sjelljen e shikuesve. Sipas FBK-së, përgjegjësia për këto aspekte mbetet te klubet organizatore dhe akterët relevantë, ndërsa çdo shkelje do të trajtohet në bazë të rregulloreve disiplinore në fuqi.
Ndër vendimet konkrete, Bordi ka obliguar KB Sigal Prishtina dhe KB Peja që të organizojnë kuvendet e tyre të rregullta zgjedhore deri më 26 qershor 2026, në përputhje me statutin dhe aktet normative të FBK-së. Po ashtu, të gjitha klubet anëtare janë obliguar të mbajnë kuvendet e punës brenda të njëjtit afat, si pjesë e kritereve për licencim për edicionin 2026/2027.
Një tjetër vendim i rëndësishëm lidhet me ristrukturimin e Komisionit për Basketbollin e Vajzave dhe Grave, i cili tashmë do të funksionojë si trup këshillëdhënës me mandat të qartë strategjik dhe operacional. Komisioni do të ketë për detyrë hartimin e një koncept-dokumenti për zhvillimin e basketbollit të femrave, në përputhje me Planin Strategjik 2026–2030 të FBK-së, me synim rritjen e pjesëmarrjes së vajzave dhe grave, zhvillimin e talenteve dhe avancimin e sistemit të garave.
Në krye të këtij komisioni është emëruar Aulona Muhadri, ndërsa anëtare janë Vlora Braha, Jeta Zeka, Era Shatri dhe Agnesa Rrahmani. Mandati i tyre do të zgjasë në përputhje me periudhën e planit strategjik, me rishikim të përbërjes çdo vit.
Në të njëjtën mbledhje është miratuar edhe regjistrimi i klubit ABC Basket si anëtar i përkohshëm i FBK-së, në bazë të vendimit të Komisionit të Garave. Statusi i këtij klubi do të mbetet i tillë deri në vendimin përfundimtar të Kuvendit të FBK-së, ku pranimi i anëtarëve të rinj kërkon shumicën e votave të delegatëve të pranishëm.
Vendimet e Bordit kanë hyrë në fuqi menjëherë pas miratimit, duke shënuar një hap të radhës drejt forcimit të strukturave organizative dhe zhvillimit të mëtejshëm të basketbollit në Kosovë.



Të tjera
Bashkëpunimi në trashëgiminë kulturore islame, Bogujevci takon kryeimamin
Zulfaj dhe Ibrahimi flasin për agjendën e reformave dhe rolin e komunave
Pse kafenë e mëngjesit duhet ta bëni në shtëpi